30 gusht 2019
Sot, ne e përkujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyrueshme, duke e ngritur vetëdijesimin për plojën e të pagjeturve dhe familjeve të tyre në mbarë botën dhe duke u ri-zotuar për zbardhjen e fatit të Zhdukurve.
Njëzet vite pas përfundimit të konfliktit të viteve 1998-1999, emrat e Personave të Pagjetur vazhdojnë të shtohen në Listën Zyrtare. Aktualisht janë 1,653 persona të pagjetur. Në mënyrë që të bëhet përparim në zgjidhjen e fatit të Pagjeturve është e domosdoshme që palët përkatëse t’i shkëmbejnë mes vete informacione të besueshme dhe përkatëse.
Bashkërendimi midis palëve të interesuara duhet të përmirësohet ndërsa komunikimi me shoqatat e familjeve të forcohet. Vazhdimi i profesionalizimit të zyrtarëve policorë dhe të mjekësisë ligjore duhet të mbetet një prioritet i lartë, së bashku me zbatimin koherent të strategjive efektive dhe gjithëpërfshirëse për kërkim.
“Kjo është një çështje që i prek shumë familje këtu në Kosovë dhe në rajon dhe unë dëshiroj që t’ua ofroj mbështetjen time familjeve që ende presin ta mësojnë fatin e më të dashurve të tyre. Ndërsa natyra e procesit të identifikimit është e ndjeshme, e ndërlikuar dhe kërkon kohë, është me rëndësi që ajo të vazhdojë në mënyrë që të gjinden përgjigjet për fatin e të pagjeturve. EULEX-i ka kapacitete të dedikuara për këtë fushë dhe do ta vazhdojë mbështetjen e tij sipas nevojës dhe kërkesave të partnerëve kosovarë të tij”, tha Ushtruesi i Detyrës së Shefit të Misionit EULEX, Bernd Thran. Në këtë kontekst, përkushtimi i vërtetë i autoriteteve kosovare është tejet i dobishëm për ta çuar më tej punën për personat e pagjetur, duke filluar me miratimin e pritur të akteve nënligjore për riorganizimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, një hap ky i rëndësishëm drejt modernizimit të tij.
Që prej fillimit të mandatit të EULEX-it e deri më sot, ky Mision i ka kryer 639 operacione në terren me qëllim të gjetjes të personave të pagjetur, përfshirë 160 zhvarrime. Mbetjet mortore të 449 individëve janë identifikuar, përfshirë 306 persona të pagjetur.
EULEX-i ofron ndihmë teknike për Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës përmes ekipit të tij të ekspertëve mjeko-ligjorë për gjetjen, identifikimin dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të pagjetur tek familjet e tyre.