26 shtator 2019
Me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve të Prokurorisë Speciale të Kosovës për trajtimin efektiv të sfidave emergjente gjatë ndjekjes penale të rasteve të terrorizmit dhe të veprave të tjera të rënda, EULEX-i, së bashku me Akademinë e Drejtësisë, organizoi një punëtori intensive dyditore për 22 prokurorë nga PSRK-ja dhe zyrtarë ligjorë.
Pjesëmarrësit, së bashku me katër gjyqtarë nga Departamenti Special, profesionistë ligjorë dhe përfaqësues nga familja e BE-së morën pjesë në punëtori dhe i ndanë ekspertizat, shqetësimet dhe sugjerimet e veta në lidhje me trajtimin e rasteve të tilla. Tema e punëtorisë ishte zgjedhur në bazë të konstatimeve nga Njësia e EULEX-it për monitorimin e rasteve, monitorimi i fuqishëm i së cilës identifikoi nevojën për mbështetje shtesë për ngritje të kapaciteteve në fushën e ndjekjes penale të rasteve të terrorizmit.
Duke folur rreth rëndësisë së punëtorisë, prokurori special Afrim Shefkiu tha: “Është kënaqësi e vërtetë të jesh pjesë e këtij trajnimi për shkak të rëndësisë së madhe që ka për fuqizimin e aftësive tona në luftën kundër terrorizmit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Terrorizmi nuk njeh kufi. Ai ekziston gjithkund në botë, por unë besoj se kur ne i mobilizojmë prokurorët, forcat policore dhe me kolegët në rajon, ne mund të arrijmë synimin tonë për parandalimin e terrorizmit.”
Ushtruesi i detyrës së Shefit të Misionit EULEX theksoi: “Terrorizmi është tejet i ndërlikuar. Por në botën e sotme, ndërlikueshmëria e terrorizmit është e përmasave përtej njohjes. Ndryshimi i ndërlikueshmërisë së tij ka qenë më i shpejtë gjatë dhjetë viteve të fundit se asnjëherë më parë. Dhe sfida me të cilën ballafaqohet Kosova është sfidë e re për të gjithë ne: sistemet e tjera prokuroriale nëpër botë janë përpjekur të gjejnë mënyra për trajtimin e krizës që shpërtheu në Lindjen e Mesme paralelisht me ndryshimet dhe avancimet teknologjike globale.”
Rezultati që pritet të arrihet nga punëtoria është përmirësimi i aftësive të prokurorëve specialë për deklarime para gjykatave, avancimi i aftësive të tyre për trajtimin efektiv të rasteve të ndërlikuara të terrorizmit para gjykatave, rritja e numrit të dënimeve për raste të terrorizmit.
Sa i përket praktikave më të mira ndërkombëtare për ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit, avokatja nga Mbretëria e Bashkuar Janet Weeks theksoi: “Ne të gjithë, si avokatë, duhet të mbajmë mend se sa të rëndësishme janë gjykimet e rasteve të terrorizmit në çdo shtet. Këtu përfshihen krijimi i besimit dhe kapacitetet për ndjekje penale të rasteve më të rënda. Përmes këtij trajnimi, na u rikujtua se sa domethënës është roli i prokurorit. Është i dobishëm për ne në juridiksionet tona, por jam e sigurt se po ashtu është rikujtim për të gjithë prokurorët këtu se çfarë roli të rëndësishëm kanë për luftimin e krimeve shumë të rënda, dhe në veçanti terrorizmit.”
Puna e EULEX-it për fuqizimin e kapaciteteve të prokurorëve speciale dhe zyrtarëve ligjorë për ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme dhe të përbashkëta me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Akademinë e Kosovës për Drejtësi për avancimin e aftësive dhe shkathtësive të tyre për trajtimin e rasteve të ndërlikuara të terrorizimit dhe rasteve të tjera të rënda nëpër gjykata në mënyrë efektive dhe bindëse.