27 maj 2015
Sot, trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Mitrovicë e shpalli aktgjykimin për rastin Drenica I.
Aktakuza pretendonte ekzistimin e një qendre ndalimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Likoc ku pretendohet më tej se ushtarët e UÇK-së kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile (në këtë rast shqiptarë të Kosovës), mes tjerash, duke e cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e disa civilëve, kurse për disa të pandehur të tjerë, duke e vrarë një polic serb dhe një person tjetër civil, të gjitha këto vepra pretendohet se janë kryer ndërmjet muajve qershor dhe shtator 1998.
Akuzat e parashtruara nga Prokurori ishin për Krime të Luftës kundër Popullatës Civile të parapara dhe të dënueshme sipas Neneve 22 dhe 142 të LPRSFJ (aktualisht të penalizuara sipas Neneve 31 dhe 152 të KPRK), sepse, në kundërshtim me Nenin 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës dhe Nenin 4 të Protokolleve Plotësuese II, ku të gjithat janë rregulla të së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së konfliktit të armatosur të brendshëm në Kosovë.
Gjyqtarët vendosën se z. S.L. është “Fajtor” për veprën penale Vrasje dhe u dënua me dymbëdhjetë (12) vjet burgim.
Gjyqtarët vendosën se z. S.S. është “Fajtor” për veprën penale Krime të Luftës duke e shkelur rëndë Nenin 3 i përbashkët për Konventat e Gjenvës dhe u dënua me gjashtë (6) vjet burgim.
Të gjithë të pandehurit tjerë u liruan nga akuzat, pasi pretendimet kundër tyre nuk janë vërtetuar.
Prokurori e mirëpriti aktgjykimin dhe Urdhrin e gjykatës për paraburgimin e të pandehurve që u shpallën fajtor.
Prokurori e vlerësoi guximin e vërtetë të treguar nga viktimat dhe dëshmitarët, të cilët i paraqitën dëshmitë e tyre në gjykatë, përkundër sfidave, frikësimit dhe vështirësive të konsiderueshme.
Prokurori do ta shqyrtojë në tërësi aktgjykimin e gjykatës dhe e rezervon të drejtën e tij për t’u ankuar pas këtij procesi shqyrtues.