Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

KFOR-i dhe EULEX-i zhvilluan stërvitjen "Joint Venture 22"

22 shkurt 2022

PRISHTINË, 22 shkurt 2022 - Në Shtabin e KFOR-it, në Kampin Film City, u zhvillua stërvitja "Joint Venture 22", në kuadër të bashkëpunimit ekzistues në fushën e sigurisë në Kosovë ndërmjet KFOR-it dhe EULEX-it, përkatësisht forcës ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO-ja dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Përmes aktiviteteve teorike, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it patën mundësinë që të ndërveprojnë dhe t'i përgjigjen elementeve të skenarëve fiktivë, ku procedura e diskutimit synonte të krijonte veprim dhe reagim, në përgjigje ndaj ngjarjeve dhe incidenteve të ndryshme të simuluara. Stërvitja u krye në modalitetin e punës teorike, me elemente të shpeshta të informacionit të ri të parapara për t’i testuar aspektet më delikate të menaxhimit të krizave dhe konflikteve në një mjedis të përbashkët operacional.

Qëllimi i kësaj stërvitjeje, të zhvilluar nën drejtimin e Zëvendëskomandantit të KFOR-it, Gjeneral Brigade Luca Piperni, ishte të verifikohej niveli i gatishmërisë për menaxhimin e emergjencave në mënyrë të koordinuar ndërmjet organizatave ndërkombëtare të sigurisë si KFOR-i dhe EULEX-i.

Po ashtu, kjo ishte një mundësi për t’i testuar procedurat e komandës dhe kontrollit dhe komunikimit, si dhe për ta vlerësuar përgatitjen e pjesëtarëve të shtabit të KFOR-it dhe të EULEX-it për ta bërë të mundur identifikimin e udhëzimeve të reja të mundshme që e forcojnë dhe e bëjnë më efektiv bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy organizatave.

Misioni i NATO-KFOR-it është që të kontribuojë për ta garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në të gjithë Kosovën, siç është mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në prani të çfarëdo lloj paralajmërimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë, KFOR-i është i gatshëm që të miratojë çdo masë të nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, për të mirën e secilit qytetar që jeton në Kosovë.



Heqje përgjegjësie: Kjo komunikatë për shtyp është publikuar fillimisht nga Zyra për Marëdhënie me Publikun e KFOR-it