04 prill 2024
Më 4 prill 2024, U.D. Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Emily Rakhorst, i dorëzoi dy kontejnerë Koloneles së Policisë së Kosovës Afërdita Mikullovci, të cilët do të përdoren për riaktivizimin e nënstacionit policor në Suhodoll.
Duke bërë të mundur riaktivizimin e nënstacionit, EULEX-i mbështetë Policinë e Kosovës në angazhimet e saj me shërbime policore të orientuara drejt komunitetit, me qëllim të adresimit të nevojave lokale dhe parandalimit të krimit, dhe në bazë të parimeve të ndërtimit të besimit, llogaridhënies, informimit dhe komunikimit.
Dhurimi i kontejnerëve po ashtu ka për qëllim rritjen e besimit të banorëve në institucione. Sapo të riaktivizohet, nënstacioni policor në Suhodoll do t’ua mundësojë të gjitha komuniteteve që jetojnë në atë zonë të kenë qasje më të mirë në shërbimet policore të orientuara në komunitet në të dyja gjuhët zyrtare të Kosovës dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt Policinë e Kosovës për dorëzimin e aplikacioneve apo të ankesave, si dhe të marrin mbështetje policore.
Tutje, prania e vazhdueshme e Policisë së Kosovës në nënstacionin policor në Suhodoll pritet të përmirësojë gjendjen e sigurisë përmes avancimit të kapacitetit të policisë për promovimin dhe mbrojtjen e sigurisë së të gjithë atyre që jetojnë në atë zonë, në një mënyrë të orientuar drejt komunitetit.
Donacioni nga EULEX-i është në pajtueshmëri me mandatin e Misionit për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnisë dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira. Në linjë me përgjegjësisë e tij për kujdes të duhur ndaj të drejtave të njeriut, Misioni ka kushtëzuar dhurimin e kontejnerëve ekskluzivisht për lehtësimin e zbatimit të shërbimeve policore të komunitetit.