26 nëntor 2015
Dje në Prishtinë EULEX-i lehtësoi diskutimin në një tryezë të rrumbullakët lidhur me sigurinë në komunikacionin rrugor. Tryeza e rrumbullakët u hap nga Zëvendësshefi i Sektorit për Fuqizim i EULEX-it, Martin Cunningham dhe në të mori pjesë edhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Naim Rexha. Në tryezë të rrumbullakët morën pjesë së bashku përfaqësuesit e qeverisë dhe policët vendas, prokurorët dhe gjyqtarët nga të gjitha rajonet e Kosovës në mënyrë që së bashku të paraqesin rekomandime dhe të japin zgjidhje për përmirësimin e sigurisë në rrugë.
Martin Cunningham e hapi punëtorinë duke shtjelluar se si përmirësimi efektiv i sigurisë në komunikacion është një rast i madh për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit që ta angazhojnë komunitetin në mënyrë pozitive. Një ligjëratë e një eksperti të EULEX-it nënvizoi që për shkak të mungesë së sigurisë në komunikacion të dhënat tregojnë se për pasojë ka pasur më shumë se 150 aksidente me vdekje, një shifër kjo e lartë krahasuar me numrin e popullsisë së Kosovës. Eksperti i EULEX-it po ashtu vuri në dukje që institucionet e Kosovës po ashtu humbin miliona euro çdo vit si rezultat i zbatimit joefektiv të gjobave dhe se sistemi efektiv i gjobitjes i parandalon shkeljet në komunikacion.
Qëllimi kryesor i punëtorisë është të vendosë bazën për një qasje më gjithëpërfshirëse për sigurinë në komunikacion, përmes tri temave: Arsimimi Mjedisor/në Inxhinieri dhe përfundimisht edhe Zbatimi, nga të cilat fokusi vihet në pagesën e gjobave. Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, prokurorët, gjykatësit dhe ministri i drejtësisë dhe ai i punëve të brendshme kanë punuar së bashku në mënyrë proaktive gjatë tërë ditës. Nga punëtoria doli një numër i rekomandimeve lidhur me një sistem të ri dhe me kornizën e tij ligjore.
Sipas deklaratës së dhënë nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, punëtoria ishte me rëndësi të posaçme duke i pasur parasysh kushtet aktuale në komunikacionin rrugor në Kosovë. Rexha theksoi nevojën për një sistem efektiv të gjobitjes. Sipas Rexhës për ta krijuar një sistem të ri nevojitet bashkëpunimi efektiv ndërmjet institucioneve të ndryshme të Kosovës. Rexha po ashtu nënvizoi nevojën për njohuri më të madhe lidhur me rregullat e komunikacionit dhe sigurinë në mesin e qytetarëve dhe për përmirësimin e legjislacionit lidhur me shkeljet në komunikacion.
Procesi do të vazhdojë dhe në të ardhmen EULEX-i do ta lehtësojë një takim tjetër në të cilin do të prezantohet një sistem i ri për mbledhjen e pagesave të gjobave dhe plani për zbatimin e tij.