08 mars 2016
Sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, EULEX-i i bashkohet betejës së të gjitha grave në mbarë botën për të drejta të barabarta të gruas dhe për barazi gjinore. Po ashtu, kjo ditë shërben si përkujtim i asaj se barazia gjinore mbetet sfidë e rëndësishme mbarë-botërore, përfshirë edhe Kosovën.
Këtë vit, OKB-ja e ka përsëritur zotimin e saj për barazinë gjinore duke e shpallur qëllimin e saj për ta arritur barazinë gjinore në nivel global deri në vitin 2030. EULEX-i është plotësisht i zotuar për ta mbështetur këtë synim dhe ta përfshijë perspektivën gjinore duke e fuqizuar sundimin e ligjit në Kosovë.
Si Shef i Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë, jam i kënaqur që Kosova e ka miratuar një numër të konsiderueshëm të ligjeve dhe politikave me qëllim të sigurimit të barazisë gjinore. Vitin e kaluar, autoritetet kosovare e kanë miratuar Ligjin e ri për Barazinë Gjinore. Ai e ka një qëllim ambicioz, që ta arrijë nivelin prej 50% të përfaqësimit të secilës gjini në institucionet publike, duke i përfshirë pozitat vendim-marrëse si dhe në sektorët të cilët tradicionalisht ka qenë të dominuar nga meshkujt. Prandaj, është veçanërisht inkurajuese që ne shohim një trend pozitiv dhe shtim të përpjekjeve nga institucionet e Sundimit të Ligjit në Kosovë për ta përmirësuar përfaqësimin gjinor. Megjithatë, ende ka hapësirë për përmirësim, veçmas në zbatimin e plotë dhe efikas të këtyre ligjeve për avancimin e grave drejt pozitave vendim-marrëse.
Unë vazhdoj të jem një përkrahës i fuqishëm i të gjitha femrave vendase dhe ndërkombëtare këtu në Kosovë në përpjekjet e tyre për të ndërtuar një sistem efikas dhe të pavarur të drejtësisë duke ofruar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë. Unë i nxis institucionet e Kosovës që ta pasqyrojnë dhe ta vërtetojnë rolin thelbësor të cilin e luajnë gratë në zhvillimin e një shoqërie prosperuese dhe demokratike.