31 tetor 2016
Sot, EULEX-i shënon gjashtëmbëdhjetë vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen, dhe Sigurinë. Shënimi i miratimit të kësaj Rezoluteje duhet të shërbejë për tua rikujtuar të gjithëve ndikimin që lufta ka tek femrat, dhe për ta pranuar rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të femrave në përpjekjet e ndërtimit të paqes.
Që nga miratimi i Rezolutës 1325 në vitin 2000, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar edhe shtatë rezoluta të tjera, të cilat tashmë janë bërë pjesë e agjendës për gratë, paqen, dhe sigurinë. Agjenda përbëhet prej tri traseve madhore; të drejtat e femrave për pjesëmarrje të barabartë në veprimtaritë e ndërtimit të paqes, nevojat e veçanta të femrave dhe të drejtat për mbrojtje në rrethana të konflikteve, në veçanti nga dhuna seksuale, dhe integrimi i perspektivës gjinore në misionet e paqes dhe sigurisë, e njohur edhe si përfshirja e aspektit gjinor.
Sa i përket zbatimit në praktikë të përfshirjes së aspektit gjinor nga ana e EULEX-it, misioni ka themeluar Pikën Referuese për Çështje Gjinore (PKGj) në kuadër të organizimit të vet, e cila në mënyrë sistematike e integron perspektivën gjinore në fushat punuese të misionit. Rezultatet, mes tjerash, tregojnë për përdorim dhe grumbullim të shtuar të të dhënave të ndara sipas gjinisë, dhe për fuqizim të institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit për trajtimin e krimeve seksuale dhe atyre të bazuara në gjini.
Me rastin e përvjetorit të gjashtëmbëdhjetë të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, entiteti i Kombeve të Bashkuara UN Women tërheqë vëmendjen tek udhëheqja nga femrat dhe roli vendimtar i tyre për parandalimin e konflikteve, për ruajtjen e paqes, dhe për formësimin e reagimeve më efektive ndaj krizave të ndërlikuara të së sotmes. Spotlight
EULEX-i fuqishëm e mbështetë dhe e vë në pah rëndësinë e pjesëmarrjes së femrave për ndërtim të paqes, siç parashihet në Rezolutën 1325.
EULEX-i e trajton me seriozitet integrimin e aspektit gjinor, dhe unë them se çdo pjesëtar i EULEX-it duhet të jetë kujdestar i aspektit gjinor. EULEX-i, përmes Pikës Referuese për Çështje Gjinore, do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Barazi Gjinore, dhe do të ofrojë mbështetjen dhe këshillat më të mira në këtë drejtim, tha Shefja e Misionit EULEX znj. Alexandra Papadopoulou.
Një aspekt i rëndësishëm për parandalimin e dhunës kundër femrave dhe për uljen e cënueshmërisë të femrave është mbështetja e pjesëmarrjes së femrave në jetën publike. Varësia e ndërsjellë mes pjesëmarrjes dhe mbrojtjes është shumë e afërt. Shembull për këtë do të ishte përmirësimi i pjesëmarrjes së gjithmbarshme të femrave në institucione siç janë forca policore dhe sistemi i drejtësisë. Kjo do të rezultojë me uljen e cënueshmërisë së femrave, dhe rrjedhimisht ngritjen e mundësisë së tyre për kërkim të drejtësisë, shtoi znj. Papadopoulou.