11 shtator 2017
"Formimi i institucioneve në Kosovë pas paqartësisë politike prej disa javësh është një hap shumë i rëndësishëm.
Kosova përballet me shumë sfida të vështira, ku përfshihen korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit, papunësia e lartë dhe sistemi arsimor me performancë të ulët. Këto janë pengesa serioze për zhvillimin e ekonomisë, për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme, dhe për krijimin e mundësive për punësim. BE-ja dëshiron që Kosova të arrijë suksese, dhe u bënë thirrje bërësve të politikave që të përqendrohen në këto çështje të përditshme me rëndësi për qytetarët.
BE-ja e inkurajon qeverinë e sapoformuar që të fillojë menjëherë të punojë për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë, në përputhje me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, Agjendën e Reformave Evropiane, dhe marrëveshjet e tjera përkatëse mes BE-së e Kosovës. Është shumë e rëndësishme që udhëheqësit politikë t'i marrin këto sfida me seriozitet dhe të veprojnë në mënyrë efektive në të mirën e qytetarëve të Kosovës. Ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë parësore për forcimin e sundimit të ligjit, përmes reformimit të sistemit gjyqësor në përputhje me standardet më të mira evropiane.
Është thelbësore që Kosova të jep rezultate në lidhje me kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave përmes përparimit me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, dhe përmes veprimeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BE-ja pret që qeveria e re të ketë rol aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe të punojë së bashku me Beogradin për të siguruar që në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja të shënohen hapa përpara cilësor. Marrëveshjet e arritura në këtë kontekst duhet të zbatohen plotësisht.
Siç u përsërit javën e kaluar nga Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini, Kosova ka perspektivë evropiane. Qytetarët e Kosovës i duan dhe i meritojnë mundësitë, siguritë dhe të drejtat e njëjta si të të gjithë qytetarëve nga vendet tona. Vazhdimi i ecjes përpara të Kosovës në rrugën e saj evropiane është thelbësore. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Politikëbërësit e Kosovës duhet të dëshmojnë udhëheqje të përgjegjshme dhe t’i përmbushin pritjet e qytetarëve.”