31 tetor 2017
Dita e sotme e shënon përvjetorin e 17-të të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. “EULEX-i i mbështetë parimet e RKSKB 1325 duke i përfshirë perspektivën gjinore dhe çështjet gjinore nëpërmjet një strukture të pikave referuese për çështje gjinore e cila tashmë është mirëpritur si një praktikë shumë e mirë. Dhe për t’i çuar përpara parimet e BE-së për barazi gjinore, ne inkurajojmë përfshirjen e grave në të gjitha aspektet e institucioneve kosovare të sundimit të ligjit, duke i përfshirë edhe pozitat udhëheqëse,” ka theksuar Shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou.
Më 31 tetor 2000, Rezoluta 1325 u bë vendimi i parë i nxjerrë ndonjëherë nga Këshilli i Sigurimit të KB-së i cili do ta pranonte rolin e rëndësishëm që e luajnë gratë dhe vajzat për parandalimin e konfliktit në shoqëritë e tyre, dhe për promovimin e paqes dhe stabilitetit pas përfundimit të konfliktit. Kjo rezolutë kërkon nga të gjithë aktorët që ta rrisin pjesëmarrjen e grave në proceset e ndërtimit të paqes dhe që ta inkorporojnë perspektivën gjinore në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare. Në të gjithashtu kërkohen masa për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna seksuale, si përdhunimi apo keqtrajtimi seksual në situatat e konfliktit të armatosur.
Kurse OKB-ja, gjatë këtyre 17 viteve të kaluara, ka mbajtur për çdo vit një debat në Këshillin e Sigurimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë për t’i kërkuar vendeve anëtare që ta promovojnë dhe t’i përmbahen në mënyrë më konsekuente parimeve themelore të përfshira në agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. “Sot ne e kujtojmë rolin e rëndësishëm të grave në parandalimin e konfliktit, në procesin e ndërtimit të paqes dhe masat për t’i mbrojtur më tutje gratë dhe vajzat,” shtoi Papadopoulou.
Në shenjë mbështetjeje për gratë anë e kënd botës dhe rolit të tyre në zgjidhjen dhe parandalimin e konfliktit, vullnetarët e Bordit Këshillues Rekreativ të EULEX-it e kanë organizuar një marsh simbolik prej 1325 hapave për të gjithë personelin e këtij Misioni brenda selisë së EULEX-it për ta përkujtuar miratimin e kësaj rezolute dhe për ta përforcuar rëndësinë e saj si në Kosovë ashtu edhe në mbarë bashkësinë ndërkombëtare.
U.D. i Shefit të Misionit EULEX, Bernd Thran, iu drejtua personelit të EULEX-it të mbledhur përpara ecjes, duke theksuar se barazia gjinore është një prej vlerave thelbësore të Bashkimit Evropian dhe se ky Misioni e mbështet plotësisht zbatimin e Rezolutës 1325. “Rritja e barazisë gjinore është një prej objektivave kryesore të mandatit tonë në fushën e fuqizimit të sundimit të ligjit në Kosovë,” nënvizoi Thran. “Ne duhet të përpiqemi gjithmonë që të jemi shembull brenda vetë institucionit tonë. Atëherë kur EULEX-i dhe shoqëria në tërësi do të mund t’i largojnë të gjitha pengesat për barazinë, ne do të mund t’i hedhim këta hapa së bashku për të siguruar që të mos e lëmë askënd mbrapa.”