Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

U mbajt takimi i radhës i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit

12 dhjetor 2017

Është mbajtur takimi i radhës i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e  Ligjit i organizuar për herë të parë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe i udhëhequr nga kryesuesi i këtij këshilli, Blerim Isufaj.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe ministri i Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi, shefja e Zyrës së BE-së/përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe udhëheqësja e Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Aleksandra Papadopoulou.

Kryesuesi Isufaj përshëndeti takimin e Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit, duke e vlerësuar Bordin si një mekanizëm ku diskutohen sfidat e sistemit të drejtësisë, ofrohen mundësitë për zgjidhjen e tyre si dhe përcillet dhe monitorohet puna drejtë zgjidhjes së tyre. Ai tha se rëndësia e këtij Bordi qëndron në mbledhjen e akterëve kryesorë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për sundimin e ligjit. Kryesuesi Isufaj edhe një herë përsëriti gatishmërinë e tij dhe të KPK-së për vazhdim dhe thellim të bashkëpunimit me të gjithë partnerët vendor dhe ndërkombëtar të institucioneve të sistemit të drejtësisë, me qëllim të ngritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së këtij sistemi.

Në cilësinë e udhëheqësit të këtij takimi dhe duke qenë se Bordi mbajti takimin e fundit për këtë vit, kryesuesi Isufaj prezantoi një përmbledhje të pikave kryesore të diskutuara në takimet e Bordit të mbajtura gjatë vitit 2017 dhe progresin e arritur.

Gjyqësori 

Kryesuesi Isufaj foli edhe për procesin e integrimit të sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës, integrim i bërë sipas Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi. Ai tha se gjatë këtij viti është bërë me sukses integrimi i 13 prokurorëve dhe 33 staf administrativ të komunitetit jo shumicë.

Kryesuesi Idrizi e vlerësoi procesin e integrimit në veri, i cili ka rrjedhë si  rezultat i Marrëveshjes se Brukselit për Drejtësi.  Integrimi i Gjyqësorit në veri  ka përfunduar me sukses, ku në tërë gjyqësorin e Kosovës  janë emëruar 41 gjyqtarë  dhe 107 shërbyes civil  nga komuniteti jo shumicë. KGJK ka bërë përpjekje maksimale për t’ju ofruar kushte sa më të mira pune me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale. Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë janë organizuar trajnime për këta gjyqtarë dhe momentalisht gjyqtarët nga komuniteti jo shumicë  janë duke e ndjekur trajnimin në lëmin penale  në Akademinë e Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, theksoi se zbatimi i Marrëveshjes për Drejtësi ka përfunduar me sukses, si një ndër të arriturat kryesore të këtij viti. Si rezultat i saj është vendosur përfundimisht sistemi unitar i drejtësisë, duke funksionalizuar institucionet e drejtësisë në pjesën veriore dhe garantuar sundimin e ligjit në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

Agjenda e Reformës Evropiane

Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Natalija Apostolova, përgëzoi përpjekjet e institucioneve të Kosovës për Sundimin e Ligjit gjatë këtij viti. Apostolova u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë rekomandimet e mbetura të Raportit 2016 për Kosovën të Komisionit Europian në pjesën e tij për 'Funksionimin e gjyqësorit' si dhe prioritetet afatshkurtëra dhe afatmesme të Agjendës Europiane të Reformave.

"Shqyrtimi dhe miratimi i legjislacionit që e bën të detyrueshëm pezullimin, përkatësisht largimin e zyrtarëve publikë të paditur dhe të dënuar për korrupsion, është një prioritet për të cilin Autoritetet e Kosovës u zotuan se do ta përmbushin brenda Agjendës Europiane të Reformave", tha Apostolova. "Inkurajoj përfshirjen e dispozitave ligjore të kërkuara në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale për të bërë këtë të mundur”.

Z. Abelard Tahiri informoi të pranishmit sipas Agjendës së BPBSL-së në lidhje me Agjendën Evropiane të Integrimeve (ARE), Ministria e Drejtësisë brenda kompetencave të saj ka përmbushur me sukses të gjitha obligimet që dalin nga  ARE dhe të cilat janë identifikuar në Raportin e Vendit për 2016.

Udhërrëfyesit e BPBSL

Shefja e Misionit EULEX, Alexandra Papadopoulou, bëri shpalljen e katër Udhërrëfyesve të BPBSL të hartuar nga EULEX në bashkëpunim të ngushtë me homologët vendas dhe krerët e BPBSL. Secili udhërrëfyes është plan teknik i veprimit dhe përmban hapa konkretë që institucionet e Kosovës për sundim të ligjit duhet t’i ndërmarrim për të siguruar qëndrueshmëri të kapaciteteve të institucioneve vendase pas përmbylljes graduale të EULEX-it.

“Udhërrëfyesi për Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) përqendrohet në kriteret teknike që duhet të përmbushen me qëllim të IML të bëhet institucion i pavarur, siç përcaktohet në Ligjit për Mjekësinë Ligjore. Disa prej kritereve kanë të bëjnë me finalizimin e legjislacionit sekondar, ngritjen e laboratorit të duhur për analiza të toksikologjisë, dhe intensifikimin e ngritjes së kapaciteteve të brendshme. Udhërrëfyesi për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DhPGjS) përqendrohet në përmirësimin e performancës së Dhomës dhe në ndryshimin e legjislacionit aktual për DhPGjS për të trajtuar më mirë dhe në mënyrë më efikase sfidat aktuale dhe të ardhshme, dhe për të themeluar mekanizëm që do të monitoronte elemente të mundshme të krimit të organizuar brenda privatizimit dhe kthimin e proceseve gjyqësore”, tha Papadopoulou.

Ajo theksoi se udhërrëfyesi i tretë ka të bëjë me gjykimin përfundimtar të rasteve që lidhen me pronat e humbura gjatë konfliktit. Në Udhërrëfyesin për Kolegjin e Ankesave për AKP janë të përcaktuara kushtet që nevojiten për ngritjen e efikasitetit të Kolegjit. Përveç kësaj, në këtë udhërrëfyes parashihet edhe ngritjen e mekanizmit për ndihmë juridike reciproke (i zbatuar nga PSBE) që do të sigurojë dërgimin e vendimeve dhe të aktgjykimeve tek palët që banojnë në Serbi.

Në udhërrëfyesin për rastet e krimeve të luftës parashihet përgatitja e Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit për punën që autoritetet e Kosovës bëjnë drejt zgjidhjes së rasteve të krimeve të luftës me qëllim që të sigurohet drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

“EULEX u bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë me ndërmarrjen e hapave konkretë drejt sigurimit të përgjegjësisë më të madhe për ndërtimin dhe ruajtjen e sistemit të pavarur dhe efikas të sundimit të ligjit”, theksoi Papadopoulou. Ajo i falënderoi të gjithë për kontributet e tyre dhënë për Udhërrëfyesit, të cilët do të fillojnë së zbatuari nga janari 2018.

Ministri i Drejtësisë informoi të pranishmit se një vëmendje të veçantë i është dhënë Udhërrëfyesve, si mjet për përcjelljen e progresit të shënuar në këto fusha të sundimit e ligjit. Më konkretisht, Ministri Tahiri prezantoi më gjerësisht kontributin dhe komentet e Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me katër fushat e identifikuara në Udhërrëfyes.

Sfidat

Sa i përket sfidave me të cilat Këshilli Prokurorial i Kosovës vazhdon ende të ballafaqohet, përkundër progresit të arritur në eliminimin e tyre, kryesuesi Isufaj përmendi si më kryesoret buxhetin e pamjaftueshëm dhe numrin e vogël të personelit.