17 maj 2018
Sot, EULEX-i i bashkohet kremtimeve mbarë botërore të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (IDAHOT). Në këtë ditë, ne e kremtojmë progresin e bërë deri më tani dhe i kujtojmë luftën e vazhdueshme të personave lesbikë, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë për të drejta të barabarta, jo vetëm këtu në Kosovë, por në tërë botën.
EULEX-i i inkurajon autoritetet që ta promovojnë barazinë dhe mos-diskriminimin në të gëzuarit e të gjitha të drejtave njerëzore nga personat LGBTI në Kosovë. Luftimi i diskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor është element themelor i fuqizimit të sundimit të ligjit në Kosovë dhe është përgjegjësi e gjithsecilit. Ashtu siç theksohet në moton e këtij viti “Aleancat për solidaritet”, aleancat e fuqishme dhe veprimi kolektiv janë të domosdoshme për t’i avancuar të drejtat e njeriut në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
“Parimi i mos-diskriminimit është themelor për Misionin tonë në Kosovë. Ne e ri-përsërisim se të drejtat e lesbikëve, homoseksualëve, biseksualëve, transgjinorëve dhe interseksualëve (LGBTI) janë të drejta të njeriut. Të gjithë njerëzit, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor të tyre janë të lirë të jetojnë pa paragjykime, frikë, dhunë apo diskriminim”, tha Shefja e Misionit, Alexandra Papadopoulou.
Ne i përshëndesim zhvillimet pozitive në Kosovë dhe angazhimet e fuqishme të organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve të drejtave të njeriut për trajtimin e kësaj çështjeje të rëndësishme. Këto angazhime vitin e kaluar kanë rezultuar me Marshin e Krenarisë të parë zyrtarë në Prishtinë ku aktivistë të drejtave të njeriut, organizata të shoqërisë civile dhe qytetarë të rëndomtë marshuan rrugëve të Prishtinës në shenjë solidariteti me komunitetin LGBTI.
Sot, duke u bërë pjesë e këtyre përpjekjeve në mbarë botën, Misioni EULEX në Kosovë do ta ngrejë dhe valojë Flamurin me ngjyrat e Ylberit.