03 prill 2019
Komandanti i Operacioneve Civile të BE-së, z. Vincenzo Coppola, e vizitoi Kosovën më 2 dhe 3 prill. Ai u takua me Presidentin Hashim Thaçi, Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri, si dhe me përfaqësuesit e nivelit të lartë të organizatave ndërkombëtare dhe me ambasadorët e Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë. Gjithashtu, ai pati takime me Shefen e Misionit EULEX, zj. Alexandra Papadopoulou dhe me drejtuesit e lartë të këtij Misioni.
“Kjo është vizita ime e dytë në Prishtinë në cilësinë time si Komandant i Operacioneve Civile që vjen pas vizitës së parë njohëse gjatë dhjetorit të kaluar. Unë pata kënaqësinë ta takoj për herë të parë Presidentin Thaçi dhe të takohem sërish me Kryeministrin Haradinaj dhe zyrtarë tjerë të lartë të rëndësishëm të Kosovës, si dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, tha z. Coppola. Komandanti nënvizoi se këto takime i ofruan atij një mundësi të mirë për ta vlerësuar së bashku me homologët kryesorë stadin e zbatimit të mandatit të tanishëm të EULEX-it pas përfundimit të ri-konfigurimit të këtij Misioni në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar. “Ndihma e EULEX-it për partnerët e tij kosovarë ka ndryshuar si rezultat i mandatit të tij të ri për vitet 2018-2020, por përkushtimi i këtij Misioni për t’i ndihmuar autoritetet e Kosovës në fuqizimin e sistemit të saj të sundimit të ligjit vazhdon të jetë i pandryshuar", theksoi Komandanti.
Komandanti i Operacioneve Civile e ushtron komandën dhe kontrollin në nivel strategjik për planifikimin dhe realizimin e të gjitha misioneve civile të Politikës së Përbashkët të BE-së për Siguri dhe Mbrojtje në mbarë botën, duke përfshirë edhe EULEX-in.