25 qershor 2019
Gjatë një interviste me transmetuesin publik të Austrisë ORF, Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, foli rreth sundimit të ligjit në Kosovë dhe për punën e EULEX-it në vend.
Papadopoulou theksoi se gjatë 11 viteve të kaluara të punës së EULEX-it në Kosovë, është shënuar shumë përparim në fushën e sundimit të ligjit, meqë ka sistem që punon, pavarësisht faktit se disa gjëra të caktuara kanë nevojë për përmirësim. E pyetur për mangësitë në sundimin e ligjit në Kosovë, Papadopoulou theksoi se ndikimi politik është problem i madh.
“Të gjithë ne zakonisht dëgjojmë për korrupsionin. Megjithatë, ne duhet të përkufizojmë kuptimin e fjalës ‘korrupsion’. Korrupsion mund të jenë paratë, mund të jetë ndikimi, mund të jetë klientelizmi, edhe marrëdhëniet shoqërore dhe familjare, të cilat janë shumë të forta në vende të vogla siç është Kosova. Andaj, sfida kryesore me të cilën Kosova tani përballet është pasja e një sistemi që është shumë objektiv dhe që punon sipas rregullave,” tha Papadopoulou, e cila shtoi: “Problemi në Kosovë nuk qëndron tek mungesa e drejtësisë, por tek drejtësia selektive.”
Duke folur për marrëveshjen për integrimin e drejtësisë, Shefja e EULEX-it theksoi se ajo zbatohet shumë mirë dhe se është shembull i vërtetë i suksesit. “Ajo funksionon, sistemi punon me problemet që i ka, por ata kanë të arritura të konsiderueshme, ngase ata marrin shumë lëndë që kanë qenë në pritje për shqyrtim. Ata punojnë shumë mirë së bashku. Çështja e përkthimit është problem. Gjyqtarët shqiptarë më të vjetër e flasin gjuhën serbe, por të rinjtë jo. Natyrisht, është problemi me përkthimin e tërë legjislacionit në gjuhën serbe, të cilin ne e financojmë tërësisht, por ai merr kohë. Është edhe problemi me përkthyes nëpër seanca të gjykimeve. Numri i tyre vazhdimisht rritet, por nevojat janë më të mëdha. Këto janë probleme praktike të cilat duhet të zgjidhen në mënyrën e duhur. E tërë atmosfera, mënyra se si punojmë së bashku, është shumë e mirë,” tha Papadopoulou.
Sa i përket punës që EULEX-i ka bërë, Papadopoulou tha: “Shumë herë kur njerëzit flasin për EULEX-in, ata flasin për gjyqësorin. Por EULEX-i ka ndihmuar në ndërtimin e sundimit të ligjit edhe në sektorë të tjerë, si në shërbimin korrektues, dogana, dhe polici. Ky është edhe një tregim tjetër i suksesit. Ne ndërtojmë institucione me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, por udhëheqja e këtyre institucioneve është përgjegjësi e popullit të Kosovës.”
Për më shumë informata, shtypni mbi këtë vegëz: https://www.wehrschuetz.at/berichte-kosovo/bericht/5531