Shefja në largim e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, i ka dhënë një intervistë lamtumirëse Kryeredaktorit të gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, ku ka folur për rolin dhe punën e EULEX-it, si dhe për sundimin e ligjit në Kosovë.
Në këtë intervistë të gjerë, e cila është transmetuar në KTV më 12 korrik dhe e cila është botuar në Koha Ditore më 13 korrik, Papadopoulou ka nënvizuar se Kosova ka ligje shumë të mira, të cilat megjithatë duhet të zbatohen në mënyrë konsekuente, dhe se asaj i duhen institucione të fuqishme të sundimit të ligjit. “Ky është fakt. Është mirë për Kosovën dhe është mirë për qytetarët e Kosovës. Kosova ka të ardhme dhe ajo e ardhme nuk mund të jetë e ndritur pa sundim të ligjit,” tha Papadopoulou.
E pyetur për punën dhe trashëgiminë e EULEX-it gjatë 10 viteve të kaluara, Shefja në largim e EULEX-it theksoi se ajo ishte krenare për punën e EULEX-it, duke shtuar megjithatë se kishte gjëra që kanë mundur të bëhen më ndryshe apo më mirë. Menaxhimi i pritshmërive, sqaron ajo, është një prej fushave ku ky Mision mund të kishte dalë më mirë duke e bërë të qartë që përmirësimi dhe fuqizimi i sundimit të ligjit merr kohë dhe nuk mund të bëhet për disa vite. “Ne duhet ta shohim bilancin. Ndërsa bilanci përfundimtar nuk po shkruhet tani, ai do të shkruhet kur të largohet EULEX-i. Dhe bilanci është pozitiv,” tha Papadopoulou. Po ashtu, Shefja në largim e EULEX-it nënvizoi se të gjithë e gjykojnë EULEX-in në lidhje me mandatin ekzekutiv të kaluar të tij në gjyqësi, por theksoi se ky Mision ishte dhe është më shumë se aq: “Ne ndihmuam në ndërtimin e Doganës, Policisë, Shërbimit Korrektues dhe Gjyqësorit, jo vetëm në trajtimin e rasteve, por edhe duke i ndërtuar kapacitetet e tyre.” Përveç kësaj, Papadopoulou tha se zbatimi i marrëveshjes për integrimin e gjyqësorit në veri e lehtësuar nga BE-ja ishte një sukses i madh i cili ishte bërë i mundur falë EULEX-it.
Kur u pyet nëse kishte ende rrugë për EULEX-in në të ardhmen, Papadopoulou u përgjigj pozitivisht, duke shtuar se sistemi kosovar i drejtësisë kishte nevojë për një “auditor”, që do të thotë një institucion i cili do të theksonte se çka është në rregull dhe çka nuk është në rregull në sistemin e drejtësisë. “Megjithatë, një auditor asnjëherë nuk kritikon publikisht,” tha Papadopoulou, dhe shtoi: “Misioni ynë është t’i ndihmojmë Kosovës dhe t’i ndihmojmë institucionet kosovare. Kur ju ndihmojmë atyre, atëherë ato janë në ulësen e parë. Ne jemi mbrapa tyre thjesht për t’ju ndihmuar atyre, për t’i mbështetur ato, si dhe për t’i korrigjuar nëse gabojnë. Prandaj, kjo nuk ka nevojë për publicitet.”
Shefja në largim e EULEX-it nënvizoi se qytetarët në Kosovë duan që të korruptuarit të futen në burg, por nuk janë të gatshëm që të dalin dhe t’i paraqesin provat. “Kur doni t'i fusni njerëzit në burg, ju nuk nuk i gjykoni ata, nuk e filloni një procedurë gjyqësore kundër tyre bazuar në spekulime, bazuar në logjikën e shëndoshë, bazuar në dyshime apo në bazuar në thashetheme. Ju e bëni këtë në bazë të provave të forta. Dhe prova e fortë nuk rritet në pemë. Prova e fortë vjen nga qytetarët, ajo vjen nga burimet,” nënvizoi Papadopoulou.
Papadopoulou gjithashtu foli për mandatin e fuqishëm të EULEX-it për monitorimin e rasteve të përzgjedhura, duke nënvizuar se monitorët e EULEX-it në drejtësi dhe polici i kanë identifikuar një numër të çështjeve shqetësuese që duhen adresuar. “Një problem të madh të cilin e kemi identifikuar është se shumica e rasteve të mëdha shkojnë tek i njëjti gjyqtar,” tha Papadopoulou, duke shtuar se kjo është një diçka që mund të adresohet. “EULEX-i”, tha ajo, “i ndan këto raporte me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial të Kosovës”, në të cilat janë identifikuar këto çështje si dhe jepen rekomandime praktike për rregullimin e tyre. “Një problem tjetër të cilin e kanë identifikuar monitoruesit e EULEX-it për rastet është se një përqindje e madhe e rasteve të monitoruara nga EULEX-i kanë rezultuar në seanca joproduktive. Megjithatë, kjo përqindje ka rënë dukshëm gjatë muajve të kaluar”, tha Papadopoulou.
E pyetur për krimet e luftës, Shefja në largim e EULEX-it tha se drejtësia duhet ndarë dhe se ata që kanë kryer krime të luftës duhet të dënohen. Papadopoulou gjithashtu iu përgjigj kritikave në Kosovë lidhur me mosndjekjen e krimeve të luftës që pretendohet se janë kryer nga serbët: “Kjo është gabim. EULEX-i është i verbër kur është fjala për kombësinë e kryerësve të krimeve të luftës. Plotësisht i verbër. Por ligji juaj, deri kohëve të fundit, nuk ka lejuar ngritjen e aktakuzave në mungesë. Pra, kemi shumë lëndë, lëndë të gatshme, për krimet e luftës të kryera nga serbët, të cilat tani sipas mandatit të ri janë transferuar tek autoritetet lokale.”
Papadopoulou, gjithashtu u shpreh e brengosur sa i përket rinisë që po largohet nga Kosova: “Në vitin 2000, të rinjtë, kosovarët e rinj nga SHBA, nga Evropa me arsimim të mrekullueshëm dhe punë të mrekullueshme, e lanë punën e tyre dhe erdhën në Kosovë për të ofruar shërbimet e tyre. Tani e shoh të kundërtën. Unë i shoh kosovarët e rinj me arsimim të mrekullueshëm që e lënë Kosovën sepse janë të frustruar. Kjo më shqetëson shumë, sepse nëse më të mirët dhe më e zotët largohen nga këtu, kush do ta vazhdojë ndërtimin e vendit? Askush. Kjo është shumë negative dhe mendoj se çdo politikan në Kosovë duhet ta vendosë atë si një prioritet të lartë.”
Në fund të intervistës, Shefja në largim e EULEX-it i falënderoi të gjithë për përkrahjen dhe dashamirësinë e tyre. “Të gjithë ishin shumë të mirë ndaj meje dhe kjo është e jashtëzakonshme,” përfundoi Papadopoulou.