Lajme

EULEX-i bashkë-organizon seminar të trajnimit për trajnerët e ardhshëm në Shërbimin Korrektues të Kosovës

25 shtator 2019

Nga data 2 deri 6 shtator, EULEX-i, në bashkëpunim me një projekt të binjakëzimit të BE-së, organizoi një seminar trajnimi për një grup të trajnerëve të ardhshëm të Njësisë për Vlerësim në Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK). Tema e trajnimit kishte të bënte me vlerësimin e të burgosurve.

Seminari i trajnimit, i ofruar nga ekspertët finlandezë Annamari Räisänen dhe Sanna Riila, kishte për qëllim ngritjen e njohurive dhe zhvillimin e shkathtësive të trajnimit për stafin e ShKK të cilët do të punësohen në Njësinë për Vlerësim sapo ajo të hapet zyrtarisht. Njësia për Vlerësim pritet që të sigurojë një rehabilitim, risocializim, dhe integrim më të mirë të të burgosurve që kthehen në komunitetet dhe shoqëritë e tyre përmes vlerësimit adekuat të rreziqeve dhe nevojave të tyre me anë të krijimit të planeve individuale të dënimeve.

Dashnim Osmani, Udhëheqës i pilot projektit të Njësisë për Vlerësim dhe Klasifikim të të Burgosurve, falënderoi EULEX-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi: “Ky seminar i trajnimit ishte shumë i dobishëm për neve sepse ne i shtojmë njohuritë tona rreth vlerësimit dhe i udhëzojmë të burgosurit drejt programeve të zhvillimit që korrespondojnë ne shkathtësitë dhe nevojat e tyre.”

Ritva Hannele Vahakoski, Udhëheqëse e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, shpjegoi rëndësinë e trajnimit të profesionistëve të Kosovës për metodat e vlerësimit të rreziqeve dhe nevojave të të burgosurve, duke shtuar se ato vlerësime do të kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për përmirësimin e qëndrueshëm të ShKK. “Njësia Korrektuese e EULEX-it vazhdon ta mbështesë ShKK për zbatimin e teorisë Rrezik-Nevojë-Reagim në pajtim me praktikat më të mira evropiane,” tha Vahakoski.

Menaxherja e projektit dhe këshilltarja e EULEX-it për çështje të korrektimit Sofie Lenaerts theksoi se seminari i trajnimit ishte vetëm pjesa e parë e projektit, dhe shtoi: “Ky trajnim parasheh edhe një vizitë studimore në Shërbimin Korrektues në Finlandë, dhe një trajnim njëjavor në Prishtinë.”

Stafi i trajnuar i ShKK do të jetë përgjegjës për trajnimin e ardhshëm të stafit të ShKK për vlerësimin e rrezikut dhe nevojave, si dhe për planifikimin e dënimeve.