30 tetor 2019
Më 29 tetor, Ushtruesi i detyrës së Shefit në largim të EULEX-it i mbajti një varg takimesh lamtumirëse me Kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj, udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Nënkryetaren e LDK-së, Vjosa Osmani, Komandantin e KFOR-it, Lorenzo d’ Addario, si dhe Shefin e Zyrës së Rusisë, Andrey Lissovoy.
Gjatë takimit me Kryeministrin në largim, z. Thran e falënderoi z. Haradinaj për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe shtoi: “Dëshiroj ta falënderoj personalisht z. Haradinaj për takimet të cilat i mbajtëm së bashku përgjatë këtyre viteve. Ndërsa jo gjithmonë ishim në të njëjtën vijë, mua më kanë pëlqyer shumë takime tona të përbashkëta me shumë gjallëri. Unë i uroj atij çdo të mirë dhe suksese në angazhimet e tij të ardhshme pas mandatit të tij në këtë detyrë.”
Gjatë takimit me Nënkryetaren e LDK-së, Vjosa Osmani, z. Thran i uroi kësaj partie suksese gjatë kohës që po vjen dhe e nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të punës për krijimin e një strukture të fortë të sundimit të ligjit në Kosovë. “Një sistem i fortë dhe i qëndrueshëm i sundimit të ligjit e krijon një shoqëri ku qytetarët mund të jetojnë të qetë dhe të sigurt, ku bizneset mund të përparojnë dhe idetë të zhvillohen. Kjo gjë është shumë e rëndësishme për një shoqëri prosperuese dhe me orientim evropian,” tha Thran. Pas këtij takimi, z. Thran e mbajti një takim lamtumirës me udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ushtruesi i detyrës së Shefit në largim të EULEX-it u takua gjithashtu me Komandantin e KFOR-it dhe e falënderoi atë për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm. “Dëshiroj ta nënvizoj bashkëpunimin veçanërisht të lehtë dhe të koordinuar mirë të cilin e kisha me Lorenzon – raportet ndërmjet EULEX-it dhe KFOR-it gjatë kohës së tij janë dalluar me të vërtetë si veçanërisht të fuqishme,” tha z. Thran, duke shtuar: “Ishte kënaqësi e vërtetë që të punoja bashkë me të dhe e falënderoj për punën të cilën e ka bërë në përforcimin e partneritetit ndërmjet NATO-s dhe BE-së në terren”.
Gjatë takimit lamtumirës të z. Thran me Shefin e Zyrës së Rusisë, Andrey Lissovoy, ky i fundit i përcolli urimet e tij të përzemërta z. Thran dhe e falënderoi atë për bashkëpunimin e mirë përgjatë viteve.