Lajme

EULEX-i organizon vizitë studimore në Finlandë dhe trajnim për një ekip nga Shërbimi Korrektues i Kosovës

04 nëntor 2019

Praktikat më të mira për punën e ndërtimit të kapaciteteve nga Njësia e EULEX-it për shërbimin korrektues ka bërë që Finlanda prapë të jetë vend i vizituar për fuqizimin e mëtejmë të shërbimeve korrektuese dhe sprovuese të Kosovës.

Gjatë vizitës studimore në Finlandë, e cila u organizua nga EULEX-u dhe u mbajt gjatë javës së parë të tetorit, gjashtë pjesëtarë të stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) u trajnuan për t’u bërë trajnerë për mënyrën e kryerjes së vlerësimeve të rrezikut dhe nevojave dhe për mënyrën e krijimit të planeve të dënimeve. Për të siguruar qëndrueshmëri, trajnimi i trajnerëve të ardhshëm të ShKK është përqendruar posaçërisht në planifikimin individual të dënimeve, i cili duhet të bëhet për të gjithë të burgosurit me qëllim të minimizimit të rrezikut nga përsëritja e veprave, proces ky që bazohet në vlerësimin individual të rreziqeve dhe nevojave.

Ekipi nga ShKK vizitoi Qendrën rajonale për vlerësim në Helsinki, Institutin e Finlandës për trajnime për Agjencinë për burgje dhe sprovim për sanksionet penale, si dhe burgje të hapura dhe të mbyllura, për të parë nga afër se si zbatohen planet e dënimeve dhe se si ato plane kanë ndikim tek të burgosurit dhe stafi i burgut.

Pas vizitës studimore në Finlandë, një ekip i ekspertëve nga Finlanda erdhi në Prishtinë për të mbështetur dhe ndihmuar grupin e vijuesve të trajnimit nga ShKK, si dhe për të vlerësuar progresin e arritur për zhvillimin e një doracaku të trajnimeve për vijuesit e ardhshëm të trajnimeve. 

Më 2 nëntor, pas një trajnimi njëjavor në Prishtinë, u mbajt ceremonia përmbyllëse e trajnimit të trajnerëve të ardhshëm në Njësinë e ShKK për vlerësimin e rreziqeve dhe klasifikimin e të burgosurve. Gjatë kësaj ceremonie, udhëheqësja e shtyllës së EULEX-it për monitorim, Johanna Valenius, theksoi: “EULEX-i e ka mbështetur ShKK që nga fillimi i Misionit në vitin 2008 dhe ende vazhdon ta mbështesë përmes mandatit për monitorim, mentorim dhe këshillim. Është me të vërtetë e rëndësishme të përmendi se ideja për këtë trajnim ka ardhur drejtpërdrejtë nga homologët tanë nga vendi. ShKK ka identifikuar nevojën për trajnimin e stafit të punësuar kohëve të fundit, dhe kjo do të mund të ofrohej nga zyrtarë që tashmë janë të trajnuar, andaj të trajnohen trajnerët.”

Homologët nga vendi po ashtu shprehën nivel të lartë të përmbushjes profesionale pas niveleve të ndryshme të trajnimeve që kanë vijuar. Dashnim Osmani, udhëheqës i pilot projektit të Njësisë për vlerësimin dhe klasifikimin e të burgosurve, i cili tani është edhe trajner i certifikuar, tha: “Përfitimet nga ky lloj i trajnimit specifik dhe i gjerë janë të lidhura drejtpërdrejtë me punën tonë të përditshme dhe përgjegjësitë. Çka është për t’u veçuar, tani ne gjithashtu do të jemi në gjendje që ekspertizën tonë ta kalojmë tek ekipet tona.”

Annamari Räisänen, eksperte e angazhuar për kohë të shkurtë për vlerësimin e të burgosurve, bëri një përmbledhje të tërë procesit të trajnimit që zgjati gjatë dy muajve të kaluar:  “Në fund të këtyre dy muajve, unë mund të them se pjesëmarrësit dukeshin shumë të lumtur dhe të kënaqur me rezultatet dhe ekspertizën e fituar gjatë trajnimit. Çka është më e rëndësishme, qasja entuziaste dhe bashkëpunuese e homologëve nga Kosova tregoi një kuptim të mirë të nevojave për ndërtimin e ekspertizës në këtë fushë specifike, për të vazhduar zhvillimin e mirë të ShKK.”

Ceremonia përmbyllëse e trajnimit të trajnerëve të ardhshëm po ashtu shënoi edhe certifikimin e gjashtë trajnerëve të ShKK në Njësinë për vlerësimin dhe klasifikimin e të burgosurve.