Lajme

Kontingjenti i Italisë në EULEX përkujton viktimat nga rrëzimi i avionit në vitin 1999 në Kosovë

12 nëntor 2019

Më 9 nëntor, një delegacion i kontingjentit të Italisë në EULEX, përfshirë udhëheqësin e kontingjentit nacional civil dhe tre përfaqësues të Policisë Shtetërore të Italisë, iu bashkuan ceremonisë përkujtimore për viktimat e rrëzimit të avionit që kishte ndodhur njëzet vite më parë në bjeshkë në pjesën verilindore të Mitrovicës.

Aksidenti që ndodhi më 12 nëntor 1999, ku një avion i Programit Botëror të OKB-së për Ushqim u rrëzua gjersa kishte filluar uljen në aeroportin e Prishtinës, rezultoi me humbjen tragjike të të gjithë 24 personave që ishin në bord.

Sikur edhe vitin e kaluar, EULEX-i iu bashkua kolegëve nga organizatat e tjera ndërkombëtare, që përfshinë UNMIK-un dhe Njësinë e Specializuar Shumëkombëshe të Karabinierit në KFOR, për të nderuar viktimat nga ai aksident tragjik. Kësaj radhe gjatë ceremonisë përkujtimore ishin të pranishëm edhe familjarët e disa prej atyre që kishin humbur jetën, të cilët kishin ardhur nga Kanadaja për t’i përkujtuar më të dashurit e tyre.

Kontingjenti i Policisë Shtetërore të Italisë në EULEX, i udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Njësisë së Misionit për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar, Vinicio Ceola, vendosi një kurorë në vendin e rrëzimit të avionit në shenjë përkujtimi për viktimat. "Pas vendosjes së pllakës përkujtimore në këtë vend vitin e kaluar, sot ishte një rast tejet i veçantë që kujtimin për ata zyrtarë dhe punëtorë humanitarë ndërkombëtarë të përkushtuar dhe të guximshëm ta nderojmë së bashku me familjarë të tyre", tha Vinicio Ceola.