Lajme

EULEX-i ia prezanton përfaqësuesve të Shteteve Anëtare të BE-së punën e tij të ndërlidhur me Shërbimin Korrektues të Kosovës si dhe gjetjet e raportit nga monitorimi i rasteve

06 dhjetor 2019

Më 5 dhjetor, EULEX-i ishte nikoqir i një takimi me përfaqësuesit e përfaqësive diplomatike të pranishme në Kosovë të Shteteve Anëtare të BE-së dhe të Norvegjisë, Zvicrës, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si Shtete Kontribuese të Treta për ta ofruar një platformë për Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Nehat Thaçi, që t’i prezantojë një numër të projekteve lidhur me SHKK-në për financim të mundshëm. EULEX-i gjithashtu i prezantoi aktivitetet e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, si dhe gjetjet e raportit të tij të tretë të monitorimit sistematik dhe tematik të gjyqësorit të Kosovës që kanë dalë nga puna e Njësisë së tij për Monitorimin e Rasteve.

Ushtruesi i Detyrës së Shefit të EULEX-it, Cezary Luba, i përshëndeti të gjithë të pranishmit e në veçanti z. Thaçi. “Unë jam shumë i lumtur që ia ofroj këtë mundësi Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së për t’i përshkruar projektet e tij sot. Ato kanë për qëllim që t’i bëjnë burgjet dhe qendrat korrektuese të Kosovës ekonomikisht më të qëndrueshme dhe t’i ofrojnë të burgosurve shkathtësi për punë. Shpresoj që të gjithë ne do të mund të gjejmë mënyra për t’i mbështetur këto projekte”. Ushtruesi i Detyrës së Shefit të EULEX-it gjithashtu informoi për një numër të çështjeve të përgjithshme lidhur me EULEX-in, ndërsa Shefja e Shtyllës së EULEX-it për Monitorim, Johanna Valenius, e paraqiti një përmbledhje të shkurtë të strukturës dhe detyrave të kësaj shtylle, duke u fokusuar në rolin e këtij Misioni në lehtësimin e zbatimit teknik të marrëveshjeve në fushën e sundimit të ligjit të arritura në kuadër të Dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja.

Duke diskutuar për rëndësinë e sigurimit të fondeve për projektet lidhur me rehabilitimin e të burgosurve, Thaçi tha: "Procesi i rehabilitimit, risocializimit dhe angazhimit në një mjedis pune do të krijojë parakushte që të burgosurit të ri-integrohen dhe të jenë të dobishëm për shoqërinë dhe komunitetin e tyre pas lirimit të tyre ".

Ritva Vahakoski, Shefe e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, e prezantoi punën e Njësisë Korrektuese të këtij Misioni gjatë fjalës së saj. Vahakoski theksoi se bashkëpunimi i frytshëm midis SHKK-së dhe EULEX-it daton që nga viti 2008 dhe theksoi se si, përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, EULEX-i vazhdon t’i mbështesë angazhimet e SHKK-së për ta zhvilluar një ekip modern të drejtuesve të lartë dhe e ndihmon SHKK-në në fuqizimin e aftësive të tij për t’i luftuar ndërhyrjet e padrejta dhe trajtimin preferencial të burgosurve, si dhe proceset e tij të përzgjedhjes.

Shefi i Njësisë për Monitorimin e Rasteve të EULEX-it, Hubert van Eck Koster, e shpjegoi monitorimin e fuqishëm të EULEX-it të rasteve të përzgjedhura, i cili ka dëshmuar se është një mjet efektiv për vlerësimin e përputhjes së sistemit të drejtësisë vendase me ligjet e Kosovës dhe standardet për të drejtat e njeriut. "Monitorimi i fuqishëm i EULEX-it është unik në atë që i mundëson Misionit që ta analizojë jo vetëm pjesën e seancave gjyqësore publike, por edhe të gjitha hallkave të zinxhirit të drejtësisë penale - nga hetimet deri te ndjekja penale, monitorimin e gjykimeve dhe ekzekutimit të dënimeve", tha van Eck Koster.