Lajme

Policia e Kosovës e përfundoi vizitën studimore në Komandën e Shtabit të Karabinierëve Italianë për Mbrojtjen e Mjedisit

27 dhjetor 2019

Njësia e EULEX-it për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar e organizoi një vizitë studimore në Itali për një delegacion të katër zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët u pritën nga Komanda e Shtabit të Karabinierëve Italianë për Mbrojtjen e Mjedisit në Romë.

Kjo vizitë studimore e cila u bë më 19 dhe 20 dhjetor, ishte vazhdimësi e “Punëtorisë për Luftimin e Krimeve Mjedisore” e cila qe mbajtur në Prishtinë më 26 dhe 27 nëntor 2019 dhe në të cilën morën pjesë 30 zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Gjatë vizitës, ky delegacion u njoh me shembuj të vërtetë të krimeve mjedisore dhe mënyrat se si hetohen dhe ndiqen penalisht ato në Itali, duke u siguruar atyre mjete efektive hetimore për t’i luftuar këto krime. Gjithashtu, aktivitetet praktike përfshinë shfrytëzimin e instrumenteve dhe metodave teknike për analizimin e ndotjes së tokës, ujit dhe ajrit.

Delegacioni i Policisë së Kosovës shprehu falënderimet e tij për këtë vizitë duke e theksuar nevojën për veprim ndaj çështjeve mjedisore me urgjencë edhe në Kosovë.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është që ata që janë trajnuar t’i përcjellin njohuritë e përfituara tek njësitë përkatëse të specializuara dhe në Komandat Regjionale të Policisë së Kosovës.