Lajme

Përfaqësuesi i lartë/Nën-Presidenti Josep Borrell përfundon vizitën në Kosovë

31 janar 2020

Më 30 dhe 31 janar, Përfaqësuesi i lartë/Nën-Presidenti Josep Borrell vizitoi Kosovën për herë të parë. 

Ai pati një takim të hapur me Presidentin Hashim Thaçi, ku theksoi se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor. BE-ja dhe rajoni duhet të avancohen së bashku. Josep Borrell theksoi përkushtimin e tij personal për fasilitimin e dialogut Beograd – Prishtinë dhe ofroi bashkëpunimin e tij të plotë.

Gjatë një takimi me udhëheqësit e partive politike të Kosovës, Përfaqësuesi i lartë diskutoi rreth rëndësisë së punës së përbashkët për t’i kontribuar demokracisë, institucioneve funksionale dhe progresit në rrugën Evropiane si dhe për avancim në dialogun Beograd – Prishtinë. Ai nënvizoi se Bashkimi Evropian do ta inkurajonte Kosovën që të formojë qeverinë sa më shpejtë që është e mundur, për të filluar punën rreth procesit. 

Gjatë vizitës së tij, Josep Borrell prezantoi një projekt të madh të financuar nga BE-ja për përmirësimin e performancës mjedisore të gjeneratorit më të madh të energjisë elektrike të Kosovës.  Projekti në vlerë prej 76.4 milion euro do t’i zvogëlojë në masë domethënëse emetimet – përmes reduktimit të pluhurit të dëmshëm për 35 herë, do të kontribuojë për furnizim të qëndrueshëm dhe të pastër të energjisë dhe do të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e popullatës.

Josep Borrell vazhdoi vizitën në qytetin e Prizrenit, ku u takua me përfaqësues të komuniteteve të vendit. Ai u përfshi në diskutime rreth historisë, kulturës dhe shoqërisë. 

Përfaqësuesi i lartë po ashtu takoi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për të diskutuar rreth çështjeve më urgjente me të cilat përballet populli i Kosovës.

Ai pati rastin të takojë edhe misionin civil të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje EULEX Kosova  ku u njoftua rreth punës së tij kontribuuese për t’i ndihmuar Kosovës në themelimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit. 

Gjatë një shkëmbimi me Komandantin e përgjithshëm të NATO KFOR z. Risi, ai po ashtu u përditësua rreth situatës së sigurisë si dhe bashkëpunimit tejet funksional mes pranive ndërkombëtare të NATO-së dhe BE-së në Kosovë. 

Mbulimi audiovizual i vizitës gjendet në EbS.

Sot, Përfaqësuesi i lartë do të vazhdojë vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor me takime bilaterale në Serbi.