Lajme

Shefi i EULEX-it u takua me Ministren e Drejtësisë për të diskutuar bashkëpunimin në sundimin e ligjit në Kosovë

19 shkurt 2020

Më 18 shkurt, Shefi i EULEX-it, Ambasadori Lars-Gunnar Wigemark, u takua me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku diskutuan lidhur me gjendjen në sundimin e ligjit në Kosovë dhe si të mbështetet bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, institucioneve përkatëse nën përgjegjësinë e saj dhe EULEX-it.

Gjatë këtij takimi, Shefi i Misionit EULEX Wigemark e përshëndeti zotimin e qeverisë së re për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai nënvizoi se EULEX-i dëshiron të vazhdojë t’i ndihmojë institucionet kosovare të sundimit të ligjit që janë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Drejtësisë, duke ofruar monitorim të fuqishëm të drejtësisë, duke e mbështetur zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësi të lehtësuar nga BE-ja, duke e këshilluar shërbimin korrektues dhe duke ndihmuar në zbardhjen e fatit të pagjeturve.

Shefi i Misionit Wigemark e theksoi vlerën e shtuar të monitorimit të fuqishëm nga EULEX-i të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, duke thënë se raportet e këtij Misioni nga monitorimi sistematik dhe tematik paraqesin një instrument të dobishëm për ta vlerësuar përputhshmërinë e sistemit të drejtësisë me ligjet e Kosovës dhe me standardet e të drejtave të njeriut, si dhe funksionimin e tërë zinxhirit të drejtësisë penale përtej seancave gjyqësore. Ai e përshëndeti vendimin e marrë nga homologët kosovarë për t’i adresuar disa mangësi në sistemin e drejtësisë duke i zbatuar rekomandimet përkatëse të EULEX-it.

Gjatë takimit me Ministren e Drejtësisë, Shefi i EULEX-it theksoi  se Strategjia Kombëtare për Krimet e Luftës, gjatë hartimit të së cilës ka ndihmuar EULEX-i, tani duhet të zbatohet. Një fushë tjetër e rëndësishme është lufta kundër dhunës në familje, ku EULEX-i është i gatshëm që të vazhdojë të ndihmojë.

Shefi i Misionit dhe Ministrja e Drejtësisë u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe EULEX-it për ta çuar përpara sundimin e ligjit në Kosovë dhe për ta bërë sistemin e drejtësisë të qasshëm dhe transparent për të gjithë ku autoritetet kosovare do ta kenë rolin prijës.