Lajme

Gjendja e sundimit të ligjit në Kosovë temë kryesore e takimit mes Kryeministrit të Kosovës dhe Shefit të EULEX-it

12 mars 2020

Më 12 mars, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, mbajti takimin e parë njoftues me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe shkëmbeu pikëpamje rreth mënyrave në të cilat EULEX-i mund të ofrojë më tej ndihmë në fushën e sundimit të ligjit.

Pasi që e uroi z.Kurtin  për zgjedhjen në postin e Kryeministrit, Wigemark tha se është shumë inkurajues fakti që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është në krye të agjendës së qeverisë. Shefi i Misionit EULEX Wigemark e përmendi rolin thelbësor të sundimit të ligjit në metodologjinë e rishikuar të Komisionit Evropian për sa i përket zgjerimit dhe ofroi mbështetjen e EULEX-it për zbatimin e reformave të nevojshme për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“BE-ja është me ju”, tha Wigemark, duke shtuar se EULEX-i do të vazhdojë të jetë partner i besueshëm dhe i sinqertë për të gjitha institucionet kosovare të sundimit të ligjit, përfshirë përmes monitorimeve të thukëta të tërë zinxhirit të drejtësisë penale, këshillimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, mbështetjes së zbatimit të marrëveshjeve aktuale të lehtësuar nga BE-ja për fushën e sundimit të ligjit si dhe përmes ndihmës për identifikimin e personave të zhdukur nga konflikti.

Gjatë takimit, Shefi i EULEX-i paraqiti para Kryeministrit Kurti një kopje të raportit të fundit të përpiluar nga EULEX-i rreth monitorimit sistemik dhe tematik të sistemit të drejtësisë të Kosovës. Si rezultat i monitorimit të thuktë të rasteve nga ana e Misionit në nivel të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, raporti i paraqet trendët dhe format që prekin funksionimin e sistemit të drejtësisë, si dhe rekomandimet për trajtimin e mangësive të identifikuara.

Kurti dhe Wigemark, po ashtu, u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e personave të pagjetur. Ekspertët e EULEX-it gjithnjë kanë punuar bashkë me homologët vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur duke ofruar ekspertizë dhe këshillime për identifikimin e varrezave masive dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga konflikti në Kosovë. EULEX-i ka kryer apo ka marrë pjesë në kryerjen e 651 operacioneve në teren për gjetjen, identifikimin dhe ri-bashkimin e mbetjeve mortore. Janë identifikuar 456 mbetjet mortore të  personave, përfshirë 311 persona të pagjetur.

Shefi i Misionit EULEX Wigemark dhe Kryeministri Kurti u pajtuan për fuqizimin e bashkëpunimit të mirë tashmë të krijuar në mes të Kosovës dhe EULEX-it, si dhe për shfrytëzimin e plotë të njohurive të gjera të Misionit për sfidat me të cilat përballet sistemi kosovar i sundimit të ligjit.