15 maj 2020
Më 14 maj 2020, Shefi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, priti Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, në objektin e Selisë së EULEX-it për një ceremoni të dhurimit të pajisjeve të TI-së për Komunën e Prishtinës si pjesë e iniciativës ‘Asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa’.
EULEX-i kontribuoi me 30 kompjuterë dhe 30 monitorë, të cilët Komuna e Prishtinës do t’i shpërndajë tek fëmijët që kanë nevojë për pajisje elektronike për të ndjekur mësimin online gjatë kohës së kësaj pandemie.
Ambasadori Wigemark diskutoi me Kryetarin Ahmeti për ndikimin e pandemisë COVID-19 në kryeqytetin dhe qytetin kryesor të Kosovës. Kryetari Ahmeti potencoi përpjekjet e ndërmarra nga Komuna e Prishtinës në bashkërendim me të gjitha autoritetet qendrore relevante për përmbajtjen e përhapjes së virusit Covid-19. Ai theksoi aktivitetet specifike që komuna është duke i ndërmarrë për mbështetjen e banorëve të saj që nga fillimi i sëmundjes ngjitëse, që përfshijnë, ndihmë sociale, ekonomike dhe humanitare, krahas masave shëndetësore dhe kujdesit higjienik të zbatuara nga Komuna.
Wigemark nënvizoi mënyrat konkrete të ndihmës që EULEX-i ka dhënë për kosovarët në këto kohëra të vështira. Në veçanti, së fundmi EULEX-i ka ndihmuar për kthimin e një numri të qytetarëve të Kosovës të cilët kishin mbetur në Poloni dhe Çeki, me anë të fluturimit nga Varshava në Prishtinë në një aeroplan çarter të EULEX-it në të cilin ishin duke udhëtuar edhe pjesëtarë të Njësisë së Policisë Speciale të Misionit të cilët ktheheshin në detyrë në Kosovë. Misioni po ashtu i dhuroi Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) pajisje të TI-së për të mbështetur qasjen virtuale dhe telefonike mes të burgosurve dhe familjarëve të tyre dhe për të lehtësuar takimet virtuale të stafit të ShKK-së. “Gjatë kësaj kohe shumë sfiduese për të gjithë ne në Kosovë dhe gjetiu, këto janë kontribute të prekshme që EULEX-i i ofron popullit të Kosovës. Sot, unë jam posaçërisht i lumtur që ua zgjati dorën nxënësve të Kosovës duke iu ofruar mjete teknologjike për t’u qasur në mënyrë virtuale në një prej të drejtave të tyre më jetike, të drejtën për arsim,” tha Wigemark.
Takimi gjithashtu ofroi mundësi për të diskutuar për gjendjen e gjyqësorit dhe rolin monitorues dhe këshillues të EULEX-it në këtë drejtim si dhe për pjesët tjera të punës së EULEX-it me Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe për mbështetjen e zbatimit të marrëveshjeve nga fusha e sundimit të ligjit të dala nga dialogu i fasilituar nga BE-ja.