Lajme

Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit e fillon fushatën mediatike “Ma thuaj me kohë”

19 maj 2020

Më 19 maj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e filloi fushatën mediatike “Ma thuaj me kohë” lidhur me rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale. 
 
Kjo fushatë mediatike është pjesë e fushatës vetëdijesuese elektronike dhe të drejtpërdrejtë  e cila është duke u zhvilluar dhe zbatuar nga EULEX-i dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës që ka për qëllim t’u ndihmojë viktimave të dhunës seksuale që ta marrin drejtësinë duke i ruajtur provat biologjike. Përmes një video spoti dhe reklame elektronike, EULEX-i i kërkon viktimave të dhunës seksuale që ta raportojnë menjëherë rastin në polici. Në mënyrë që të ruhen provat biologjike jashtëzakonisht të rëndësishme, të cilat do të ndihmojnë që kryerësi i veprës të sillet pëpara drejtësisë, ky Mision u kërkon viktimave të dhunës seksuale që të mos bëjnë dush, të mos i lajnë dhëmbët, të mos i ndërrojnë rrobat dhe të mos pastrohen.
 
Po ashtu, për të marrë ndihmë viktimat e dhunës seksuale inkurajohen që të thërrasin në numrin pa pagesë 080011112, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave. Viktimat e dhunës seksuale mund të thërrasin në numrin pa pagesë 080011777 për të marrë ndihmë juridike falas.
Ma thuaj me kohë – Dhuna seksuale është vepër penale.
 
Lexo këtu më shumë për fushatën “Ma thuaj me kohë”:
https://www.eulex-kosovo.eu/?page=1,69