10 gusht 2020
Më 7 gusht, Deutsche Welle e botoi një intervistë me Zëvendës-drejtoreshën e EULEX-it të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tarja Formisto.
Aty, Formisto, flet për më shumë se një dekadë të punës së këtij Misioni për ta përcaktuar fatin e të pagjeturve.
Deutsche Welle: Prej më se dy dekadash çështja e personave të pagjetur nga lufta e Kosovës është nga më të dhimbshmet e më të debatuarat mes Prishtinës edhe Beogradit. Cila është qasja e EULEX-it në ndihmë për të gjetur një zgjidhje?
Tarja Formisto: Çështja e personave të pagjetur është një nga trashëgimitë më të rënda të konflikteve në ish-Jugosllavi. Kosova për fat të keq nuk bën përjashtim dhe ende sot kemi më shumë se 1640 persona të pagjetur nga të gjitha komunitetet. Që nga fillimi i mandatit të misionit të BE për Rendin dhe Ligjin, EULEX, në vitin 2008, deri më sot ekipi me shumë përvojë i ekspertëve të mjekësisë ligjore ka kryer 653 operacione në terren për të lokalizuar personat e pagjetur. Kjo rezultoi në identifikimin e 456 individëve, përfshirë 316 persona të pagjetur, dhe u bë e mundur falë bashkëpunimit të mirë me institucionet e Kosovës dhe të Serbisë, po ashtu të institucioneve ndërkombëtare, si Komiteti i Kryqit të Kuq dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur. Jam krenare për punën e ekipit tim dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë të pamundurën për të gjetur fatin e këtyre personave të humbur dhe siguruar përgjigjet që duan familjet dhe të dashurit e tyre.
Autoritetet e Kosovës akuzojnë prej kohësh ato të Beogradit, se nuk informojnë hapur për çështjen e personave të pagjetur, pasi trupat janë në varreza masive në Serbi. Serbia nuk e pranon këtë. Çfarë mund të bëhet që të ecet përpara këtu?
Për të bërë më shumë progres për përcaktimin e fatit të të humburve, nevojitet vullneti nga të dyja palët për ta ndarë informacionin, për të ecur përpara dhe zgjidhur rastet, pavarësisht vështirësive. EULEX është këtu për të ndihmuar, por drejtësia tranzicionale (koncepti përdoret për vendet e sapo dala nga konfliktet. shën. red.) është një proces, që duhet ta respektojnë të dyja palët, që duhet të angazhojë të gjitha nivelet, me vullnet për të bashkëpunuar dhe ndarë informacionin që familjet e personave të pagjetur të marrin përgjigjet që dëshpërimisht u nevojiten. Autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë do duhet të bëjnë më shumë përpjekje për këtë çështje kaq komplekse dhe të kenë më shumë vullnet për të ndarë informacionin. Ne jemi më shumë se të lumtur të vazhdojmë të mbështesim këto përpjekje në terren.
Ekspertët tuaj punojnë edhe me Beogradin, cili është mendimi juaj, për akuzat e palës kosovare lidhur me mbajtjen e informacioneve nga autoritetet e Beogradit?
Bashkëpunimi ynë si me autoritetet në Kosovë edhe në Serbi është i mirë. Edhe njëherë, institucionet e të dyja palëve duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të zgjidhur këtë çështje komplekse dhe të kenë më shumë vullnet për të ndarë informacionin. Të gjithë do të përfitonin nga më shumë transparencë për personat e pagjetur. Nëse nuk e ofron informacionin që ndoshta ke mbi fatin e të humburve, as nuk do të marrësh ndonjë informacion. Një shembull konkret i bashkëpunimit tonë me autoritetet serbe është puna në ekip në një truall të madh guroreje në Kizhevak. Në fakt ky është një vend, ku përdorimi i pamjeve nga ajri po përdoret me shpresën për të ndihmuar të lokalizohen mbetjet mortore të personave të zhdukur. Sa të na e lejojë pandemia për të vazhduar punën sërish, do të vazhdohet me punën në Kizhevak, ku mendohet të gjenden mbetjet sipas pamjeve nga ajri.
Po sa realiste janë në tërësi shanset për t'i gjetur ata më shumë se 20 vjet pas lufte?
Më shumë se 20 vjet janë vërtet një kohë e gjatë për një prind, një partner apo një të afërm të mos e dijë të vërtetën. Për fat të keq kjo ndodh shpesh. Ky është rasti edhe në Bosnje-Hercegovinë, ku familjet e më shumë se 6.500 personave të humbur presin ende për përgjigje, si në Kosovë. Të kërkosh për të humburit pas një konflikti të armatosur është një proces i dhimbshëm, i komplikuar dhe që kërkon kohë. Për të lokalizuar dhe identifikuar më shumë raste ne kemi nevojë për informacion të besueshëm. Shpresojmë që së shpejti, sa të përmirësohet situata e pandemisë, të vazhdojmë punën tonë për ekzumimet. Megjithë rrethanat e vështira, ne ia dolëm mbanë këtë pranverë të asistojmë partnerët tanë në Kosovë në ekzumimin me sukses të mbetjeve mortore të një personi të humbur në perëndim të Kosovës.
A e keni bërë identifikimin e personit dhe njoftuar familjen?
Ky proces i verifikimit specifik është në fazat e hershme tani, prandaj nuk është dërguar ende një provë e ADN-së. Për të pasur përkimet e ADN-së (DNA-match) duhen zakonisht 3-6 muaj.
Ku i shihni ju arsyet, pse nuk gjenden trupat e më shumë se 1640 të tjerëve?
Ka disa arsye, pse numri i personave të pagjetur qëndron mbi 1640 vetë. Së pari ka mungesë të një informacioni të ri dhe të besueshëm në lokalizimin e varreve. Koha kalon dhe gjithnjë e më shumë informacione humbin, edhe sepse njerëzit shpesh nuk i kujtojnë më me saktësi ngjarjet. Përveç kësaj, ka raste, kur njerëzit nuk duan të ofrojnë informacion për shkaqe frike ose sigurie të tyre. Ekipi i misionit tonë, së bashku me kolegët tanë në Kosovë mund të ekzaminojë vendet, vetëm në rast të informacionit të besueshëm për vendin e saktë të tyre. Një tjetër çështje e rëndësishme është se jo të gjitha familjet e personave të pagjetur kanë dhënë provat e gjakut për analizën e ADN-së. Për të pasur sukses në identifikimin e personave, kemi nevojë për provat e gjakut. Por këto sfida nuk na dekurajojnë, as ne si ekip i EULEX-it dhe as kolegët tanë lokalë.
EULEX ka punuar edhe me autoritetet serbe për të identifikuar varreza masive. Ku mund të jenë këto varresa masive?
Në total janë 1640 vetë që llogariten si persona ende të pagjetur në Kosovë. Disa prej tyre mund të jenë në varreza masive, por disa mund të jenë në varre të vogla, të fshehta, ose madje edhe në varrezat normale në hapësira të ndryshme. Afër 50% e personave të identifikuar si të pagjetur janë ekzumuar nga varrezat normale. Siç e thashë ne kemi identifikuar 316 persona, përveç kësaj 300 mbetje mortore janë morgun e Prishtunës dhe ne po ndihmojmë autoritetet e Kosovës në këtë çështje.
Flitet edhe për trupa të djegur të shqiptarëve në Trepçe apo Bor. Keni ju informacione për këtë?
Nëse ka ndonjë informacion të besueshëm lidhur me këtë, policia dhe prokuroria duhet të hetojnë më tej. Puna jonë e mjekësisë ligjore kryhet nën varësinë e Prokurorisë së Specializuar të Kosovës.
Si vepron ekipi juaj konkretisht për të identifikuar trupat e të pagjeturve?
Gjithçka fillon me informacionin e besueshëm për një zonë të caktuar. Pastaj ne verifikojmë zonën duke iu referuar listës së personave të humbur të kësaj zone dhe informacioneve të tjera që mund të na çojnë në lokalizimin e varrit. Kur është e mundur përdorim edhe pamje nga ajri apo satelitore, që mund të na tregojnë ndryshime në peizazh. Pas identifikimit të lokalitetit, ne vazhdojmë punën në terren që mund të çojë në ekzumimin dhe zbulimin e mbetjeve mortore. Pas gjetjes, kryhet autopsia dhe merren prova të kockave për testin e profilit të ADN-së. Në rastet, kur të afërmit e kanë dhënë një provë të gjakut, dhe ka një vlerësim pozitiv përkues të ADN-së, atëherë procesi i identifikimit përfundon. Pastaj familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore.
Sa kohë merr i gjithë ky proces?
Siç e thashë procesi është kompleks dhe kërkon shumë kohë. Identifikimi i një personi mund të kërkojë nga disa muaj deri me vite. Problemi kryesor që kemi është si të veprojmë me varret e fshehura. Në kohën që nisi konflikti në Kosovë, ishte e ditur, që varrezat masive ishin të dukshme nga ajri. Kështu që autorët e krimeve i fshehën trupat në varre më të vogla, të fshehta, madje edhe në varrezat normale, për ta bërë më të vështirë kërkimin e personave. Problem tjetër i madh është se jo të gjithë të afërmit kanë dhënë provat e gjakut. Por kjo është vendimtare për të procesin. Përveç kësaj disa persona të pagjetur janë të moshuar, pa anëtarë familjeje që mund të jepnin gjak. Por ka edhe familje që refuzojnë të japin gjak. Në raste të tjera personat që ne identifikojmë ka gjasë të mos jenë deklaruar si të pagjetur. Nganjëherë personat janë luftëtarë të huaj dhe nuk ka prova gjaku për t'i identifikuar.
Për pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve çështja e pazgjidhur e të pagjeturve është një pengesë mjaft serioze. Edhe sa kohë mendoni se kjo do të mbesë si një plagë e hapur?
Çështja e personave të pagjetur është çështje e të drejtave të njeriut. Është fjala për të drejtën e familjarëve të dinë, se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre. Kjo çështje nuk duhet politizuar ose të jetë pjesë e axhendave politike. Vazhdimi i punës për fatin e të pagjeturve do të mbështesë pajtimin në rajon. Pa e adresuar këtë, pajtimi do të jetë i vështirë e nuk do të mund të ketë një paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
Linku për intervistë: https://www.dw.com/sq/formisto-mbi-të-pagjeturit-në-kosovë-duhet-vullnet-nga-palët-për-ta-ndarë-informacionin/a-54464850?maca=sq-Twitter-sharing