02 tetor 2020
Më 2 tetor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i ka bërë një donacion të konsiderueshëm shkollës fillore "Nexhmi Mustafa" në Besi dhe paraleleve të ndara të saj, si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme ët këtij Misioni për t’i mbështetur institucionet vendase përgjatë pandemisë me COVID-19. Në këtë donacion përfshihen 30 kompjuterë desktop dhe laptop, printerë, tonerë, skanerë dhe rafte librash.
Gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha: “Ne jemi të lumtur që jemi në gjendje t’u ndihmojmë institucioneve arsimore vendase për punën e përditshme të tyre duke u dhuruar pajisje për zyrë dhe të TI-së. Në këto kohë të vështira dhe të pasigurta për shkak të pandemisë me koronavirus, asnjë fëmijë nuk duhet lënë anash kur bëhet fjalë për qasjen e tyre në shkollim".
"Ne dëshirojmë ta falënderojmë EULEX-in për këtë donacion të rëndësishëm. Me ndihmën e tërë këtyre pajisjeve për zyrë dhe të TI-së do të jetë më e lehtë si për mësimdhënësit ashtu dhe për nxënësit që të arrijnë rezultate mësimore më të mira. Ne u jemi shumë mirënjohës, tha Drejtoresha e shkollës Xhevrije Osmani, i cila gjithashtu i dhuroi Shefit të EULEX-it një punim artistik të mrekullueshëm të bërë nga nxënësit e klasave të 8-ta dhe 9-ta.
Shkolla fillore "Nexhmi Mustafa" i ka edhe tri paralele të ndara nën drejtimin e saj, ku 303 nxënës e vijojnë mësimin në shkollën në Besi, ndërsa 320 nxënës vijojnë mësimin në paralelet e ndara në fshatrat përreth.