Lajme

Donacion i pajisjeve të TI dhe inventarit të zyrës për Qendrën për Punë Sociale në Mitrovicën e jugut

30 nëntor 2020

Më 27 nëntor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhuroi pajisje të teknologjisë informatike dhe inventar të zyres për Qendrën për Punë Sociale në Mitrovicën e jugut në mbështetje të punës së saj për të ndihmuar qytetarët dhe familjet në nevojë.

Marrëveshja e donacionit, që përfshiu 22 kompjuterë dhe laptopë, 21 telefona, 17 printerë, gjashtë skaner, një copëzues të letrës, katër kamera CCTV dhe inventar të zyres, u nënshkrua nga Shefi i EULEX-it Lars-Gunnar Wigemark dhe Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut Faruk Mujka. Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe Drejtori i Qendrës për Punë Sociale të Mitrovicës së jugut, Gani Mustafa.

Nënkryetari i komunës shprehu mirënjohjen e tij për këtë donacion. "Ky donacion bujar është shumë i rëndësishëm për ne dhe do të lehtësojë punën e Qendrës për Punë Sociale", tha Mujka, duke shtuar se komuna e Mitrovicës së jugut ofron ndihmë për qytetarët dhe familjet në nevojë, përfshirë nënat e reja, qytetarët e prekur nga COVID- 19, dhe viktimat e dhunës në familje.

Shefi i EULEX-it shprehu besim se asetet e dhuruara do të vihen në përdorim të duhur  dhe do t'u shërbejnë nevojave të qytetarëve të komunës. Wigemark gjithashtu theksoi se BE-ja po bën shumë për të mbështetur institucionet e Kosovës si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.

Ky donacion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Misionit për të dhënë mbështetje konkrete për institucionet e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19, përveç punës të tij të përditshme me institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës.