Lajme

Bashkëbisedimet për fuqiziimin e grave: ”Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës kundër grave: avancimi i zbatimit të Konventës së Stambollit”

08 dhjetor 2020

Më 28 nëntor 2020, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e organizoi të tretin me radhë nga seria e “Bashkëbisedime për fuqizimin e grave” në temën " Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës kundër grave: avancimi i zbatimit të Konventës së Stambollit".

Moderuar nga Johanna Valenius, Shefe e Shtyllës për Monitorim të EULEX-it, paneli i diskutuesve përbëhej nga Gjyqtarja Shpresa Emra, Prokurorja e Shtetit Ilirjana Çollaku-Tafa dhe Chiara Tagliani, Këshilltare Gjinore e EULEX-it. Panelistët diskutuan për rrugën përpara drejt zbatimit efektiv të standardeve të Konventës së Stambollit në lidhje me qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës ndaj grave. Diskutimet u përqendruan gjithashtu në sfidat kryesore me të cilat përballen gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës në familje për qasje në institucionet e drejtësisë . 

Gjyqtarja Shpresa Emra theksoi se deri vonë çështjet e dhunës në familje konsideroheshin si çështje private: “Si gjyqtarë dhe profesionistë të ligjit, ne po përpiqemi ta zbatojmë si duhet legjislacionin. Tani, me përfshirjen e Konventës së Stambollit, dhuna në familje nuk konsiderohet më si çështje private”. Gjyqtarja Emra e rikujton se nuk ka ekzistuar ndonjë sistem në të cilin rastet e tilla do të kishin përparësi dhe se rastet e dhunës në familje shpesh harroheshin diku së bashku me rastet e tjera, duke rrezikuar kështu të drejtat e viktimave. Me ndihmën dhe mbështetjen profesionale të mbrojtësve të viktimave dhe Policisë së Kosovës, qasja e viktimave në drejtësi është përmirësuar ndjeshëm.

Por, në çfarë mase legjislacioni kombëtar e pasqyron domosdoshmërinë e përdorimit të një qasjeje të përqendruar tek viktima dhe të punës me kryerësit e veprave për rehabilitimin?

Sipas Prokurores së Shtetit Iliriana Collaku-Tafa, puna me viktimat dhe kryerësit e veprave është një zgjidhje mjaft afatgjate dhe shpesh është një zgjidhje më e mirë për viktimën dhe familjen e viktimës. "Bazuar në Kodin Penal të Kosovës, gjykata mund të shqiptojë një dënim me kusht kundër kryesit të veprës me një urdhër për trajtim të detyrueshëm rehabilitues", tha ajo.

Të gjithë panelistët e shohin miratimin e Konventës së Stambollit si një hap të madh përpara në ndihmë për zbatimin e legjislacionit dhe në përmirësimin e qasjes në drejtësi për viktimat e dhunës në familje. Kjo më tej do t’i inkurajojë autoritetet që të krijojnë mekanizma që do të punonin në këtë drejtim.

Sipas Këshilltaresi Gjinore të EULEX-it, Chiara Tagliani, Konventa e Stambollit është "instrumenti ligjor më i gjerë për ta luftuar dhe parandaluar dhunën ndaj grave". "Fryma e Konventës e sjell këtë qasje gjithëpërfshirëse dhe tërësore duke qenë mënyra e vetme drejt parandalimit dhe luftimit efektiv të dhunës ndaj grave", vuri në dukje Tagliani.

"Bashkëbisedimet për Fuqizimin e Grave" janë pjesë e aktiviteteve të EULEX-it për ta shënuar 20 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të KB dhe fushatën e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore.