Lajme

Shkathtësitë e duhura për të rekrutuar prokurorë të mirë

23 prill 2015

Prokurorët plotësojnë një rol unik në çdo sistem gjyqësor. Përgjegjësia e tyre parësore në arkitekturën e gjyqësorit është të sigurojnë prova të pranueshme në procedurat penale në mënyrë që rastet të paraqiten në gjykatë. Prandaj, procesi gjithëpërfshirës i përzgjedhjes së prokurorëve është vendimtar për plotësimin e këtij aspekti të sistemit të drejtësisë.  

Monitorimi, mentorimi dhe këshillimi (MMK) i zhvillimit dhe implementimit të një sistemi të qëndrueshëm prokurorial është fokusi i parë i ekspertëve të EULEX-it të cilët punojnë në KPK. Veç kësaj, ata po ashtu i përkrahin homologët e tyre vendës në avancimin e proceseve si, rekrutimi, ngritja në detyrë, vlerësimi, vlerësimi disiplinor dhe i performancës. Kjo është tepër e rëndësishme për të siguruar që ata të jenë në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane, duke i përfshirë parimet mbi barazinë gjinore dhe të përfaqësimit të drejtë etnik.  

Ekipi Këshillues për KPK-në nga EULEX-i, së bashku me ekspertët për Burimet njerëzore të EULEX-it, e kanë organizuar një punëtori të specializuar njëditore: "Rritja e kualitetit të procesit të përzgjedhjes për prokurorë." Punëtoria është mbajtur më 22 prill 2015, me pjesëmarrje të prokurorëve, anëtarëve të këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), dhe të stafit mbështetës të KPK-së. 

“Përveç sigurimit të këshillave për hartimin e rregullores për procesin e rekrutimit dhe aktivitetet tjera të MMK-së, EULEX-i e kishte monitoruar edhe procesin e përzgjedhjes së njëzet e një prokurorëve të shkallës së parë gjatë vitit 2013. Gjetjet nga raporti ynë vlerësues kishin identifikuar disa mangësi dhe fusha të cilat kanë nevojë për përmirësim të procesit të rekrutimit,” shpjegon Ramon Palomino, Këshilltar në KPK. 

Pas analizës së hollësishme të procesit të përzgjedhjes dhe shqyrtimit të gjetjeve me homologët vendës, Ekipi këshillues në KPK nga EULEX-i e ka konceptuar këtë punëtori për përmirësimin dhe zgjerimin e shkathtësive të atyre që i zhvillojnë intervistat dhe të atyre të cilët marrin pjesë në panelet e përzgjedhjes. “Qëllimi i trajnimit është që bashkë të shqyrtohen gjetjet nga raporti dhe të arrihen rezultate praktike për rritjen e kualitetit të gjithë procesit,” shtoi Ramon.  

Kryesuesi i Komisionit për emërime dhe Zëvendës-kryesues në KPK, Idain Smaili, theksoi rëndësinë e këtij trajnimi: "Si kryetar i komisionit rekrutues për prokurorët e ri, unë e konsideroj këtë trajnim si një mjet shumë të dobishëm i cili na mundëson që ne të veprojmë në pajtim me standardet evropiane gjatë procesit të përzgjedhjes së prokurorëve të ri. Unë u jam shumë mirënjohës zyrtarëve ligjorë të EULEX-it për organizimin e këtij trajnimi.”   

"Ekipi i ynë së bashku me ekspertët nga Burimet njerëzore të EULEX-it, e kanë paraqitur një vegël të ndryshme për pjesëmarrësit e këtij trajnimi duke shpresuar se ajo do të përdoret në të ardhmen me qëllim të identifikimit të kandidatëve më të mirë të mundshëm për plotësimin e këtij roli aq unik në Sistemin gjyqësor të Kosovës” thotë Cristian Nicoara, Këshilltar në KPK.  

Rezultatet pasuese dhe ndikimi i këtij trajnimi do të analizohen nga Ekipi këshillues i EULEX-it. Veç kësaj, si pjesë e rolit të MMK-së në SHPK, vlerësimi i procesit në vijim për rekrutimin për tetëmbëdhjetë pozita shtesë do të finalizohet para fillimit të stinës së verës në 2015.