Lajme

Mbështetja e prekshme e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit për Kosovën gjatë pandemisë së koronavirusit

23 qershor 2021

Nga fillimi i pandemisë COVID-19, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i shtoi masat parandaluese për ta zbutur përhapjen e koronavirusit, për ta mbrojtur shëndetin e stafit të tij dhe të komunitetit, si dhe për të ruajtur aftësinë e tij operacionale për aq sa ishte e mundur.  

Përgjatë kësaj periudhe, Misioni gjithashtu qëndroi në krah të homologëve të tij të sundimit të ligjit në Kosovë dhe u përpoq që t'i ndihmonte ata në mënyra të ndryshme: duke e monitoruar situatën që po ndryshonte me shpejtësi dhe duke ofruar këshilla për homologët e tij të sundimit të ligjit se si të reagojnë dhe përshtaten me sfidat e paraqitura nga pandemia; duke e lehtësuar riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës; si dhe duke dhuruar pajisje për institucionet shëndetësore dhe të sundimit të ligjit, shkollave dhe subjekteve tjera. 

Më poshtë është një përmbledhje e mbështetjes së prekshme të EULEX-it për Kosovën gjatë pandemisë së koronavirusit.

Raporti Special për ndikimin e COVID-19 në sundimin e ligjit në Kosovë (maj 2021) 

Në maj, EULEX-i e publikoi "Raportin Special të tij për ndikimin e COVID-19 në sundimin e ligjit në Kosovë", që e mbulon periudhën nga muaji mars 2020 deri në mars 2021. Ky Raport e vlerësoi menaxhimin e pandemisë në disa aspekte të caktuara të drejtësisë dhe sistemit korrektuese në Kosovë, si dhe i identifikoi sfidat me të cilat u përballen ato gjatë pandemisë së koronavirusit. Raporti gjithashtu ofroi rekomandime konkrete dhe të zbatueshme për sistemin e sundimit të ligjit të Kosovës për t'iu përgjigjur më mirë krizës së vazhdueshme shëndetësore.

Riatdhesimi i qytetarëve të Kosovës (prill 2020) 

Në prill të vitit 2020, EULEX e lehtësoi riatdhesimin e 12 shtetasve të Kosovës të bllokuar në Poloni dhe Çeki, pas një kërkese nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Diasporës. Riatdhesimi i qytetarëve të Kosovës ishte pa pagesë për të gjithë pasagjerët dhe u mundësua falë një fluturimi çarter të paguar nga EULEX-i nga Varshava, Poloni për në Prishtinë, Kosovë, i cili solli me vete 31 policë polakë të Njësisë së Specializuar Policore të EULEX-it. Në një kohë kur kishte kufizime shumë të rrepta lidhur me COVID-19 për udhëtime, EULEX-i e dëshmoi në praktikë se e ndihmon Kosovën dhe qytetarët e saj në kohë nevoje.

Donacionet

Donacioni për Shërbimin Korrektues të Kosovës 

Në prill të vitit 2020, EULEX-i i dhuroi pajisje të TI-së Shërbimit Korrektues të Kosovës për të ndihmuar në rritjen e qasjes virtuale dhe telefonike për të burgosurit dhe për t’i mundësuar takimet virtuale të stafit. Ndërsa kufizimet u vendosën për vizitat për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit në institucionet korrektuese, ky donacion e ndihmoi Shërbimin Korrektues që ta lehtësojë komunikimin e të burgosurve me anëtarët e familjeve të tyre përmes telefonit ose video-telefonatave, duke siguruar që të respektoheshin të drejtat e të burgosurve. Në mes të pandemisë së koronavirusit, EULEX-i ishte në gjendje ta përmbushë një nevojë urgjente të Shërbimit Korrektues të Kosovës për kompjuterë, laptopë dhe telefona celularë.

Donacione dhe trajnime për institucionet mjekësore

  • Në shkurt të vitit 2020, EULEX i dhuroi një automjet, pajisje mjekësore për sallat e urgjencës dhe konsultimeve, si dhe pajisje të TI-së dhe pajisje zyre, Qendrës Mjekësore të Leposaviqit. Donacioni kishte për qëllim ta ndihmojë stafin e Qendrës Mjekësore në Leposaviq që ta përmirësojë ofrimin e kujdesit shëndetësor.
  • Në Dhjetor 2020, EULEX-i e bëri një donacion të konsiderueshëm prej 41 artikujsh të rëndësishëm, përfshirë monitorë për pacientë, komplete pajisjesh për trauma, defibrilatorë dhe frigoriferë për ruajtjen e vaksinave dhe ilaçeve tjera, në Qendrën Mjekësore të Shtërpcës.
  • Në maj të vitit 2021, EULEX-i i dhuroi pajisje, përfshirë laptopë, kompjuterë, printerë dhe mobilje për zyre, Klinikave të Endokrinologjisë dhe Mikrobiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
  • Në shkurt të vitit 2021, Njësia Mjekësore e EULEX-it e mbajti një trajnim për Shpëtimin e Jetës për një grup prej 47 punëtorësh shëndetësorë nga Kosova, të cilët janë të përfshirë në procesin e vaksinimit kundër COVID-19. Ky trajnim dy-ditor u organizua nga Departamenti i Imunizimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, me mbështetjen e OBSH/UNICEF.

Donacione për subjekte të tjera

  • Në maj të vitit 2020, EULEX- i bëri një donacion të kompjuterëve Komunës së Prishtinës si pjesë e iniciativës së saj për të Mos e Lënë Asnjë Fëmijë Mbrapa. Kompjuterët u janë shpërndarë fëmijëve në nevojë për pajisje elektronike për t’i ndjekur mësimet e shkollës përmes internetit gjatë pandemisë.
  • EULEX-i gjithashtu ka bërë donacione për shkollat fillore për t’i mbështetur mësimdhënësit dhe nxënësit në punën e tyre përgjatë pandemisë dhe në të ardhmen.
  • Në mars të vitit 2020, EULEX-i i ka dorëzuar mbi 200 kompjuterë, laptopë dhe printerë Agjencisë së Regjistrimit Civil për t’u ndihmuar atyre që të ofrojnë shërbime më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës. 
  • Në nëntor të vitit 2020, EULEX-i i ka bërë një donacion Qendrës për Punë Sociale në pjesën jugore të Mitrovicës për ta mbështetur punën e saj duke u ndihmuar qytetarëve dhe familjeve në nevojë.