01 tetor 2021
Më 30 shtator, dorëzimi dhe riatdhesimi i mbetjeve mortore të personave të zhdukur të zhvarrosur prej zonës së gurëthyesit në Kizhevak të Serbisë u bë në pikëkalimin e përbashkët Merdarë/Merdare. Këto mbetje mortore u përkasin viktimave të masakrës së Rezallës, dhe riatdhesimi i tyre u krye me mbështetjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit dhe bëri homazhe pranë viktimave bashkë me familjarët që ishin të pranishëm.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, falënderoi të gjithë partnerët kontribuues, që përfshijnë edhe EULEX-in, për përpjekjet afatgjate dhe punën e zellshme për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur që familjarët e tyre të mund të gjejnë një lloj ngushëllimi.
Gjatë riatdhesimit dhe dorëzimit ishte i pranishëm edhe ekipi forenzik i EULEX-it.
Ekspertët e EULEX-it kanë kryer gërmime në Kizhevak që nga viti 2015 me një zbulim të madh në nëntor 2020, kur mbetje mortore njerëzore u gjetën tek një gurëthyes i madh.
Mbetjet që u dorëzuan të enjten, u nxorën gjatë fazës së parë dhe të dytë të aktiviteteve në Kizhevak në dhjetor 2020 dhe maj 2021, dhe ishin në pritje të rezultateve të ADN-së për identifikim përfundimtar. Rezultatet e ADN-së konfirmuan se këto mbetje u përkasin nëntë personave: shtatë identifikime të reja dhe dy ri-asocime me mbetje të gjetura më parë në një lokacion të ndërlidhur, në Rudnicë. Një ekip i ekspertëve nga EULEX-i ka qenë vazhdimisht i përfshirë në kërkimin dhe përcaktimin e lokacionit të këtij vendi dhe pastaj edhe në zhvarrimin e këtyre mbetjeve mortore.
Pas dorëzimit zyrtar, nën përcjelljen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbetjet mortore u dërguan në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Hapi i radhës parasheh një ri-ekzaminim të plotë të mbetjeve nga ana e ekspertëve të IML-së me mbështetjen e ekipit forenzik të EULEX-it. Pasi të përfundohet ky proces, mbetjet mortore do t’i dorëzohen familjarëve.
Puna dhe përpjekjet tona të përbashkëta për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur vazhdon.