Lajme

EULEX-i jep donacione për shkollën “Faik Konica”, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent

05 nëntor 2021

Më 2 nëntor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i dhuroi shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë 15 kompjuterë, printerë dhe pajisje të ndryshme të TI-së, mobilje dhe pajisje laboratorike.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit, Shefi i EULEX-it, Lars Gunnar-Wigemark, tha se arsimi është barazuesi i madh ndërmjet grave dhe burrave dhe midis fëmijëve. "Ju mund të merrni ndonjë fëmijë kudo në botë dhe nëse i jepni atyre arsimim, atëherë nuk ka kufi për atë që ata mund ta bëjnë", tha Wigemark, duke shtuar se e ardhmja u takon të rinjve. Shefi i EULEX-it e vlerësoi gjithashtu punën e mësimdhënësve dhe prindërve.

Drejtoresha e shkollës, Jehona Oruçi i ndau Shefit të EULEX-it një mirënjohje dhe e falënderoi Misionin për donacionin e dhënë për këtë shkollë.

Në tetor, Shefi i EULEX-it gjithashtu dorëzoi donacione për Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME). Donacionet përbëheshin nga tre automjete për IPK-në, dy për AME-n, si dhe telefona, radio dore dhe celularë, dylbi dhe pajisje të tjera thelbësore të TI-së, sigurisë dhe për zyrë.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të donacionit në IPK, Wigemark e theksoi rolin e rëndësishëm të Policisë së Kosovës dhe IPK-së. “Kjo nuk është punë e lehtë, por ju e keni mbështetjen tonë të plotë”, tha ai. Ndërkaq gjatë dorëzimit të donacionit për AME-n, Wigemark tha se EULEX-i është i lumtur që e përkrah këtë agjenci. “Puna juaj është e rëndësishme dhe do të bëhet edhe më e rëndësishme në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne jemi shumë të lumtur t'ju japim këtë mbështetje konkrete”, tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm i AME-s, Fadil Kodra dhe Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, e falënderuan EULEX-in për ndihmën dhe mbështetjen, si dhe thanë se mbeten të përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me këtë Mision. Ata të dy vlerësuan se këto donacione do t'i ndihmojnë ata në kryerjen e punës së tyre të përditshme dhe që t’i përforcojnë kapacitetet e tyre.