25 nëntor 2021
Sot, më 25 nëntor, ne shënojmë Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave dhe fillimin e fushatës 16 Ditë Aktivizëm e cila do të zgjatë deri më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Ky vit shënon 30-vjetorin e fushatës. Gjatë këtyre 30 viteve, zërat e aktivistëve dhe të mbijetuarve kanë sfiduar dhunën në bazë gjinore deri në një pikë ku askush nuk mund ta injorojë më.
Dhuna kundër grave dhe vajzave ka qenë e përhapur edhe para se pandemia COVID-19 të na e ndryshonte jetën para më shumë se 18 muajve. Duke e rritur pabarazinë gjinore që ka qenë e pranishme edhe më parë, pandemia e ka përkeqësuar më tej këtë dhunë.
Kjo është arsyeja përse thirrja për t’i dhënë fund dhunës kundër grave nuk mund t’iu lihet vetëm aktivistëve dhe shoqërisë civile. Ajo kërkon mobilizim nga të gjitha palët e shoqërisë, si dhe angazhim të institucioneve dhe të udhëheqësisë përmes veprimeve të prekshme dhe sigurimit të fondeve të dedikuara, ndërgjegjësimit dhe përpjekjeve të përshtatura për ndryshimin e normave socio-kulturore të cilat janë të rrënjosura thellë.
Shefi i Zyrës së BE-së/Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, dhe Shefi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë - EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, ritheksojnë zotimin e tyre për mbështetjen e institucioneve dhe shoqërisë së Kosovës si tërësi për luftimin e dhunës në bazë gjinore.
JEPI FUND TANI DHUNËS KUNDËR GRAVE!