02 dhjetor 2021
Më 1 dhjetor, Komandanti i Operacioneve Civile, Francisco Esteban Perez, e përfundoi vizitën treditore në Kosovë, e cila ka përfshirë takime me Kryeministrin Kurti, Ministrin e Punëve të Brendshme Sveçla, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Mehmeti, U.D. Drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Goga, si dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe shoqërisë civile. Gjatë kësaj vizite, Komandanti i Operacioneve Civile u takua edhe me personelin e EULEX-it, të cilët e informuan atë për aktivitetet e vazhdueshme të këtij Misioni.
Monitorimi i gjyqësorit nga ana e EULEX-i ishte në fokus të takimit të Komandantit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili shprehu vlerësimin e tij për punën e EULEX-it, duke vënë në dukje se si ka evoluar mandati i Misionit duke iu përgjigjur ndryshimit të rrethanave në Kosovë. Komandanti e përsëriti përkushtimin dhe gatishmërinë e Bashkimit Evropian, në veçanti të EULEX-it, për të vazhduar mbështetjen e institucioneve të sundimit të ligjit të Kosovës në fusha të tilla si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
(Foto: Zyra e Kryeministrit)
Gjatë vizitës së tij, Komandanti i Operacioneve Civile ka takuar edhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Bisedat e tyre u fokusuan në situatën e sigurisë në Kosovë, rolin e EULEX-it si reagues i dytë i sigurisë dhe dislokimin e kohëve të fundit të Njësisë Policore të Specializuar të këtij Misioni në pikë-kalimet e përbashkëta Bërnjak dhe Jarinjë me detyra për vëzhgim me kërkesë të Policisë së Kosovës dhe në përgjigje ndaj tensioneve në rritje në veri të Kosovës. Ata gjithashtu diskutuan për mbështetjen e EULEX-it përmes monitorimit këshillimit lidhur me aktivitetet policore.
Ai u prit gjithashtu nga ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Institutit të Mjekësisë Ligjore, Flutra Goga, e cila e nënvizoi kontributin e çmuar të EULEX-it në punën e këtij Instituti për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur. Ekspertët e EULEX-it punojnë krah për krah me kolegët kosovarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të hedhur dritë mbi fatin e personave të pagjetur duke ofruar ekspertizë dhe këshilla në identifikimin e varrezave të mundshme klandestine dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga konflikti në Kosovë.
Gjatë vizitës së tij në Mitrovicë, Komandanti i Operacioneve Civile pati mundësinë të shkëmbejë mendime mbi lehtësimin nga ana e EULEX-it për zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësi të lehtësuar nga BE-ja dhe konkluzionet e dakorduara të saj me Kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe Shefin e Divizionit të Apelit. Pasi e ka lehtësuar me sukses integrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serb në sistemin e drejtësisë së Kosovës, EULEX-i vazhdon ta mbështesë dhe këshillojë Kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe Shefin e Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë në këtë fushë area.
Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, Komandanti i Operacioneve Civile e vizitoi edhe bazën e EULEX-it, ku mori pjesë në ushtrimin për kontrollin e turmave dhe trazirave nga Njësia Policore e Specializuar e këtij Misioni, e cila përbëhet nga 105 policë polakë, si dhe një prezantim mbi punën e EULEX-it në lehtësimin e zbatimin e Protokollit Teknik të MIK dhe çështje të tjera të lidhura me MIK.
Komandanti i Operacioneve Civile e përmbylli vizitën e tij në Mitrovicë me një shëtitje në urën kryesore mbi lumin Ibër.
Në Prishtinë, Komandanti i Operacioneve Civile i informoi ambasadorët dhe shefat e zyrave të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të treta kontribuese në Kosovë për vizitën e tij. Së bashku me Shefin e EULEX-it, ai u takua gjithashtu me Shefin e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Zyrtarin Përgjegjës/Zëvendës Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK-ut dhe Komandantin e KFOR-it dhe shkëmbyen mendime për situatën aktuale politike, të sigurisë dhe të sundimit të ligjit në Kosovë, si dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve ndërkombëtarë në terren.
Komandanti i Operacioneve Civile u takua gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile për ta kuptuar kontributin dhe pikëpamjet e tyre mbi sundimin e ligjit në Kosovë. Një fokus i shtuar në monitorimin e krimeve mjedisore dhe një rol aktiv i vazhdueshëm i Misionit në ndjekjen e zbatimit të agjendës ambicioze të qeverisë për sundimin e ligjit ishin ndër temat e ngritura nga përfaqësuesit e shoqërisë civile. Përfaqësuesit e shoqërisë civile shprehën vlerësimin që EULEX-i ka bashkëpunuar më shumë me shoqërinë civile në përgjithësi dhe është që ka qenë shumë më transparent në lidhje me punën e vazhdueshme të Misionit.
Për më tepër, gjatë vizitës së tij në Kosovë, Komandanti i Operacioneve Civile u informua edhe për punën e Shtyllës së Monitorimit dhe Shtyllës për Mbështetjen e Operacioneve të EULEX-it nga ekipi drejtues i këtij Misioni.
Gjatë vizitës në Bazën Mbështetëse të EULEX-it, Komandanti i Operacioneve Civile u informua për mbështetjen operative dhe logjistike të Misionit për Dhomat e Specializuara/Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, si dhe për aktivitetet në mbështetje të misionit, duke e përfshirë punën e Njësisë Mjekësore, e cila ofron shërbime mjekësore primare dhe emergjente për pjesëtarët e personelit të EULEX-it dhe pjesëtarët e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Në fund, Komandanti i Operacioneve Civile e mbajti edhe një takim të përbashkët online me të gjithë pjesëtarët e personelit të EULEX-it, duke i falënderuar ata për punën e mirë të bërë nga ky Mision për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Sfondi: Komandanti i Operacioneve Civile drejton njëmbëdhjetë misionet civile të CSDP-së të dislokuara në Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme, ku aktualisht janë të punësuar rreth 2,000 pjesëtarë të personelit. Në këtë funksion, Komandanti i Operacioneve Civile është edhe Drejtor i Kapaciteteve Civile për Planifikimi dhe Realizim (CPCC), Drejtoria e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm që, me një staf prej rreth 100 personash, shërben si qendër operative e misioneve civile të CSDP-së.