Lajme

EULEX-i mbështetë publikimin e raportit të FOL “Byzylykët elektronikë: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”

07 dhjetor 2021

EULEX-i mbështetë publikimin e raportit të FOL “Byzylykët elektronikë: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”  

Më 7 dhjetor, OJQ-ja FOL me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) publikoi raportin: “Byzylykët elektronikë: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”. Raporti fokusohet në përdorimin e mbikëqyrjes elektronike të personave lëvizja e të cilëve është e kufizuar me vendim gjykate dhe në zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike me qëllim të mbrojtjes dhe krijimit të një mjedisi të sigurt për viktimat e dhunës në familje. 

Duke rikujtuar se në maj të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Mbikëqyrjen Elektronike me qëllim të krijimit të një mekanizmi efektiv për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, raporti thotë se në Kosovë nuk ka dhoma operative për mbikëqyrje elektronike siç e përcakton ligji, se vendit ende i mungojnë pajisjet që do të mundësonin mbikëqyrjen elektronike dhe se personeli i institucioneve të sundimit të ligjit nuk është trajnuar për detyrimet që rrjedhin nga dispozitat e ligjit.  

Në lidhje me efektet e mbikëqyrjes elektronike për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, raporti i OJQ-së FOL thotë: “Pajisjet elektronike do ta vështirësonin afrimin e të pandehurit me viktimën dhe në këtë mënyrë do të mundësonin mbrojtjen e viktimave nga veprime të tjera të kundërligjshme dhe do të fuqizonin parandalimin e përsëritjes së veprës penale”. 

Gjatë prezantimit të raportit, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, theksoi se përmes mbështetjes së OJQ-së FOL në përgatitjen e këtij raporti, Misioni synon të bashkojë të gjitha institucionet e përfshira në zbatimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike dhe ata që punojnë për çrrënjosjen e dhunës në familje: “Në Kosovë, numri i rasteve të dhunës në familje të raportuara në Policinë e Kosovës shënon rritje çdo vit. Korniza ligjore dhe institucionale e Kosovës është me të vërtetë kryesisht në përputhje me standardet e BE-së dhe ndërkombëtare. Megjithatë, pavarësisht kornizës legjislative ekzistuese, mekanizmat e parandalimit dhe të mbrojtjes duhet të forcohen në mënyrë që të sigurohet dëmshpërblim dhe mbrojtje efektive e viktimave.” 

Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, tha se institucionet përgjegjëse duhet të punojnë shumë për të krijuar mekanizma mbrojtës dhe riintegrues për viktimat e dhunës në familje: “Shteti, qeveria ka dështuar në zbatimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike. Në fakt, ne nuk kemi të dhëna që tregojnë se pajisjet e nevojshme për zbatimin e këtij ligji ekzistojnë. Nga ana tjetër, Policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë nxjerrë udhëzime administrative për zbatimin e këtij ligj, por deri më sot dhe përkundër rekomandimeve të qarta të Avokatit të Popullit, nuk mund të themi se ka pasur rezultate”. 

Në raportin e saj, OJQ-ja FOL jep edhe rekomandime që do të mundësonin zbatimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike. Rekomandimet përfshijnë ndarjen e një linje të qartë buxhetore për shpenzimet e parapara, formimin e një grupi pune ndërministror që do të ishte përgjegjës për të propozuar dhe gjetur mënyra për zbatimin e plotë të dispozitave të ligjit, zbatimin e akteve nënligjore, dhe intensifikimin e bashkëpunimit të Ministrisë së Drejtësisë/Zyrës së Koordinatorit kombëtar kundër dhunës në familje me institucionet e tjera përkatëse.

Lexoni raportin këtu: https://www.eulex-kosovo.eu/eul/repository/docs/Report_Final.pdf

Shikoni diskutimin këtu (në gjuhën e folësve):.