Lajme

EULEX-i dhe Oda e Avokatëve të Kosovës bashkë-organizuan punëtorinë për sfidat e sistemit të drejtësisë në rajonin e Mitrovicës

03 shkurt 2022

Më 28 janar, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK) – Dega Rajonale në Mitrovicë e përmbyllën një tryezë dyditore në Prishtinë për gjyqtarë, prokurorë, policë dhe avokatë nga rajoni i Mitrovicës. Njëzet pjesëmarrës shkëmbyen mendime për sfidat me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme, duke përfshirë disponueshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve të përkthimit dhe interpretimit, si dhe bashkëpunimin ndërmjet policisë, prokurorisë dhe gjykatave.

Iniciativa për organizimin e kësaj punëtorie erdhi nga Oda e Avokatëve të Mitrovicës e kryesuar nga avokati Vehbi Beqiri, i cili kërkoi mbështetjen e EULEX-it në organizimin e takimeve të rregullta që bashkojnë të gjithë aktorët e drejtësisë në rajon për të biseduar dhe vendosur për praktikat e përbashkëta që kanë të bëjnë me punën e përditshme të tyre, me synimin rritjen e efikasitetit të institucioneve në dobi të publikut.

Duke diskutuar se si mund të bëhet më efikase puna e institucioneve të drejtësisë, Beqiri theksoi se regjistrimi i seancave gjyqësore do t'i ndihmonte të gjitha palët e interesuara në mbarëvajtjen e punës së tyre. Ai përmendi gjithashtu fletëthirrjet e gjykatës, të cilat shpesh nuk dërgohen në kohë nga posta, si pjesë e sfidave të tyre të përditshme, pasi kjo rezulton në mosmbajtjen e seancave.

Gjyqtari Ali Kutllovci nga Gjykata Themelore e Mitrovicës tha se Kosova duhet t'i kushtojë vëmendje të veçantë rajonit të Mitrovicës sepse nevojat e gjyqësorit atje ndonjëherë janë të ndryshme.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës u përfaqësua nga Kryeprokurori Ismet Ujkani, i cili tha se takimet e kësaj natyre janë shumë të mirëseardhura dhe se është e nevojshme të adresohen këto sfida. Ai përmendi si problem cilësinë e përkthimeve, mungesën e përkthyesve, si dhe njoftimin e palëve. Sipas Ujkanit, gjendja në përgjithësi është e mirë, por ende ka nevojë të thellohet bashkëpunimi në mes të gjitha palëve.

Pranvera Demi, gjyqtare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë në Departamentin për të Mitur, theksoi se grumbullimi i lëndëve është një nga sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen ata. “Ne kemi ende raste nga viti 2003-2005 që më vijnë në vitin 2022. Imagjinoni të gjykoni një person që ka kryer një vepër 15 vjet më parë. Kjo është një sfidë me të cilën përballemi çdo ditë”, tha ajo.

Lidhur me njoftimin e palëve për mbajtjen e seancave, avokatët thanë se janë të pakënaqur me njoftimet zakonisht shumë të shkurtra në kohë, duke rezultuar në përplasje oraresh gjatë caktimit të seancave. Ata gjithashtu theksuan se nuk ekziston ndonjë sistem për koordinimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve kur bëhet fjalë për këto njoftime, gjë që shpesh çon në shtyrjen e seancave në dëm të publikut.

Organizatorja e kësaj punëtorie, Këshilltare në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Meda Petronela Grama, tha se punëtori të tilla u ndihmojnë aktorëve të drejtësisë që të shkëmbejnë mendime rreth sfidave me të cilat ballafaqohen, si dhe ndihmojnë në përmirësimin e praktikave të përditshme të drejtësisë.

Duke e falënderuar EULEX-in, të pranishmit thanë se ishin shumë të kënaqur me organizimin e kësaj punëtorie dhe kërkuan zhvillimin e një sërë debatesh për sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet e drejtësisë.