Lajme

EULEX-i mbështetë nxënës dhe institucione arsimore lokale përmes donacioneve në Prishtinë, Gjilan dhe Shillovë

28 shkurt 2022

Më 23 dhe 25 shkurt, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ndau një donacion të përbërë prej kompjuterëve, monitorëve, printerëve, skenerëve, ruterëve dhe orendive të zyrës për të mbështetur fëmijët, nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës Fillore “Shkëndija” në Prishtinë, “Gjimnazit Shillova” në Shillovë, dhe Shkollës Fillore “Musa Zajmi” në Gjilan. Misioni po ashtu dhuroi një automjet për shkollën e fëmijëve me aftësi të kufizuara “Përparimi” në Prishtinë, për t’i ndihmuar këtij institucioni në ofrimin e arsimit gjithëpërfshirës.

Në ceremonitë e ndarjes së donacionit i pranishëm ishte Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dhe gjatë këtyre ceremonive u dhanë edhe shfaqje nga nxënësit.

Para ndarjes së donacionit në shkollën “Musa Zajmi”, Wigemark pati takim me Kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, me të cilin bisedoi mbi atë se si arsimi ngritë vlera të përbashkëta dhe kuptim më të thellë të rolit të sundimit të ligjit.

“Sundimi i ligjit fillon në nivelin lokal, në komuna dhe shkolla, me nxënës, fëmijë dhe familjet e tyre. Kjo është mënyra e ngritjes së vlerave dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu për të ju mbështetur,” tha Wigemark.

E drejta për arsim është një prej të drejtave më jetike themelore të njeriut dhe vlerave të Bashkimit Evropian, dhe përgjatë viteve Misioni ka mbështetur nxënës, mësimdhënës dhe institucione arsimore lokale përmes dhurimit të pajisjeve të TI-së dhe orendive për zyra.

Në veçanti, që nga fillimi i pandemisë me koronavirus, EULEX-i ka ndarë donacione për shkollat fillore në Lapllasellë dhe në Prishtinë, ku edhe i është bashkuar iniciativës “Asnjë fëmijë të mos mbetet prapa” e nisur nga Komuna e Prishtinës për të siguruar që fëmijët të kenë qasje në mundësi të mësimnxënies në mesin e sfidave të paraqitura nga pandemia.