28 mars 2022
Pas njoftimit për zbarkimin në Kosovë të Njësisë Rezervë të Policisë së Specializuar (NjRPS) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e përbërë prej xhandarmëve dhe e ofruar nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dha një intervistë për Klan Kosova.
Intervista u përqendrua në arsyet prapa zbarkimit të kësaj force policore të trajnuar mirë dhe të specializuar, e cila ka për qëllim përforcimin e Njësisë aktuale të Policisë së Specializuar të EULEX-it.
I pyetur nëse zbarkimi i NjRPS-të ndërlidhet me agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, Wigemark rikujtoi se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / Nën-Presidenti i Komisionit (PL/NP), Josep Borrell, kishte theksuar se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor mund gjithashtu të preken.
“Kur kemi të bëjmë me çështjen e gjendjes së sigurisë në Kosovë, unë mendoj se për momentin ajo është stabile, por, ne të gjithë e dimë se ajo mund të ndryshojë shpejtë. Vitin e kaluar ne ishim dëshmitarë të asaj,” shtoi Wigemark.
Shefi i EULEX-it po ashtu konfirmoi se detyrat e dhënies së mbështetjes operacionale për dialogun e fasilituar nga BE-ja duhet t’i transferohen Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë deri më 31 dhjetor 2022, ku shtoi se procesi është duke ecur mirë.
Sa i përket përkushtimit të EULEX-it për t’i mbështetur homologët nga vendi në Institutin e Mjekësisë Ligjore për gjetjen e fatit të personave të zhdukur përmes ofrimit të ekspertizës dhe këshillave për identifikimin e varrezave të mundshme klandestine si dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga konflikti i Kosovës, Wigemark lajmëroi se punimet e gërmimeve për gjetjen e personave të zhdukur priten të rifillojnë së shpejti.
“Në pranverë ne do të fillojmë sërish punën. Për momentin, besoj se janë shtatë apo tetë urdhra gjyqësorë në pritje,” tha ai.
Gjatë komentimeve rreth kërkesës së Presidentes së Kosovës drejtuar PL/NP që EULEX-i të angazhohet në një sërë fushash prioritare, siç është mbështetja për zbatimin e Konventës së Stambollit, Wigemark shprehu mirëpritjen e kësaj kërkese, duke shtuar se Misioni tashmë ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme në këtë drejtim.
Linçet për tek intervista:
https://www.youtube.com/watch?v=umpkZrT7aaE&t=33s
https://www.youtube.com/watch?v=ABLuaYWKE-U&t=118s