Lajme

EULEX-i i mbështet komunat e Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut me anë të donacioneve të automjeteve dhe pajisjeve të TI-së

14 prill 2022

Më 12 prill, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, u dorëzoi automjete dhe pajisje të TI-së komunave të Mitrovicës së Jugut  dhe Mitrovicës së Veriut.

Në veçanti, Misioni i bëri donacion një automjet, gjashtë kompjuterë, gjashtë monitorë dhe tre printerë Zyrës së Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut . Me këtë rast, Wigemark u takua për herë të parë me Kryetarin e ri të komunës, Bedri Hamza, me të cilin diskutuan për sundimin e ligjit, qeverisjen lokale dhe rëndësinë e investimeve në aspektin klimatik dhe energjetik.

Të njëjtën ditë, Shefi i EULEX-it i bëri donacion dy automjete dhe pesë njësi portative për larjen e syve Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicën e Veriut, ndërsa dy automjete dhe një printer iu bënë donacion Komunës së Mitrovicës së Veriut për ta mbështetur Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.