06 korrik 2022
Prishtinë, 6 korrik 2022
(Kontrollo si është lexuar)
Mirëdita të gjithëve,
Presidente Osmani,
Faleminderit që na keni nderuar me praninë tuaj dhe për mesazhin tuaj shumë të qartë dhe të fuqishëm. Faleminderit të gjithëve që jeni këtu dhe keni ndarë kohë për t'u bërë bashkë me ne sot.
Që nga përfundimi i mandatit ekzekutiv të tij në sistemin e drejtësisë së Kosovës në qershor 2018, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, i njohur gjithashtu si EULEX, është duke monitoruar, mentoruar dhe këshilluar institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit. Ne angazhohemi që këtë ta bëjmë në mënyrë transparente, duke i ndarë gjetjet tona kryesore me institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit, të cilët janë sot këtu, si dhe me opinionin e gjerë.
Bazuar në monitorimin e fuqishëm nga ana e këtij Misioni të gjithë zinxhirit të sistemit të drejtësisë, ky Mision deri më tani ka nxjerrë pesë raporte gjithëpërfshirëse. Me anë të secilit prej këtyre raporteve ne ofrojmë rekomandime konkrete dhe operacionale për homologët tanë, qofshin ata nga Policia e Kosovës, Gjyqësori apo Shërbimi Korrektuese. Shumë nga këto rekomandime nuk kërkojnë ndryshime në legjislacion, por mund të zbatohen thjesht nëpërmjet rregullimeve të rregullave dhe procedurave të institucioneve përgjegjëse. Ato janë praktike dhe të orientuara drejt rezultateve.
Raporti special që po e prezantojmë sot i kushtohet viktimave të dhunës seksuale, veçanërisht të përdhunimit, ndërsa kërkimi i drejtësisë nga to, jo vetëm në Kosovë por kudo tjetër, shpeshherë mbetet ende pa përgjigje, i vonuar në mënyrë të paarsyeshme apo edhe i mohuar.
Ky raport bazohet në monitorimin e bërë nga ana e Misionit për mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës seksuale nga sistemi i drejtësisë në Kosovë. Ai nuk i përfshin rastet e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë, edhe pse në raport mund të ketë, megjithatë, disa vrojtime dhe rekomandime, të cilat mund të zbatohen edhe për dhunimin sistematik të grave dhe burrave, djemve dhe vajzave gjatë një konflikti.
Raporti është pjesë e një angazhimi më të gjerë të EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në trajtimin e dhunës ndaj grave në përgjithësi dhe dhunimit në veçanti. Kjo është në përputhje me kërkesat e Konventës së Stambollit, të cilat sapo i sqaroi Presidentja Osmani. Me ndryshimin e Kushtetutës së saj në shtator të vitit 2020, nën udhëheqjen tuaj si Kryetare e Kuvendit, Presidente, Kosova u zotua që t’i përmbushë këto obligime. Ndërsa në letrën tuaj - zonja Presidente – dërguar Përfaqësuesit të Lartë dhe Zëvendës Presidentit të Komisionit Evropian, z. Josep Borrell, më 14 qershor të vitit të kaluar, ju Presidente Osmani e keni ftuar shprehimisht EULEX-in që ta mbështesë zbatimin e Konventës së Stambollit dhe, si rrjedhojë, në shumë mënyra raporti i sotëm është edhe për shkak të iniciativës suaj.
Gjatë vitit të kaluar, ky Mision u angazhua në një sërë aktivitetesh, duke filluar nga kryerja e fushatave ndërgjegjësuese mbi të ashtuquajturën “gaslighting” (keqtrajtimi psikologjik) dhe lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje, deri te kontributi në hartimin e strategjive dhe dokumenteve të ndryshme programore, si p.sh. Strategjia e re Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, e cila është miratuar – dhe unë e përgëzoj Qeverinë e Kosovës për këtë - si dhe për hartimin e udhëzimeve, udhëzimet më specifike për krijimin e sistemeve të referimit për trajtimin e krimeve seksuale.
Dhuna seksuale, në veçanti dhunimi - siç e dini të gjithë - shkakton plagë të thella fizike dhe psikologjike për ata që e përjetojnë atë. Trauma e përfshirë nuk mund të matet kurrë plotësisht me instrumente mjeko-ligjore, raporte si ky, apo me statistika. Standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut, përfshirë Konventën e Stambollit, përcaktojnë detyrime të qarta për autoritetet vendase në të gjitha vendet për të parandaluar dhunën seksuale, për të ndjekur penalisht këto vepra, për të siguruar mbrojtje për viktimat dhe për të ofruar mjete ligjore për korrigjim.
Shumë shpesh viktimave të përdhunimit nuk u jepet prioritet i mjaftueshëm nga sistemi i drejtësisë - dhe këtu nuk flas vetëm për Kosovën. Kurse ato, viktimat, duhet të durojnë një proces ligjor të gjatë dhe të ndërlikuar. Shumë shpesh rastet e tyre pushohen për mungesë provash thelbësore ose për arsye procedurale. Prandaj, ajo që nevojitet është e ashtuquajtura “qasje e bazuar në viktima”. Përsëri diçka që Presidentja sapo e përmendi.
Ky është një vendim kontraverz dhe jurisprudenca në bazë të legjislacionit në Suedi është ende duke u zhvilluar, por besoj se na takon neve që ta shqyrtojmë se si ta tejkalojmë mungesën e aktgjykimeve dënuese në rastet e dhunimeve.
Dhuna seksuale nuk është çështje private; ajo është rezultat i marrëdhënieve të pabarabarta të pushtetit dhe pabarazive gjinore. Dhuna në baza gjinore është shkelje e të drejtave të njeriut.
Trajtimi fillestar i viktimave të dhunës seksuale është jashtëzakonisht i rendësishëm. Dhe të mos harrojmë gjithashtu se kjo nuk është vetëm dhunë ndaj grave dhe vajzave. Edhe burrat dhe djemtë janë të ekspozuar ndaj dhunës dhe abuzimit seksual, veçanërisht gjatë konflikteve, por edhe në familje. Kjo ndonjëherë është një tabu edhe më e madhe që të flitet për të.
Ndër iniciativat me të cilat po punon aktualisht ky Mision, dua të përmend se si kemi hartuar një udhërrëfyes për krijimin e shërbimeve të specializuara mbështetëse për viktimat e dhunës seksuale. Për më tepër, Misioni aktualisht po e mbështet një grup pune të krijuar në mars të këtij viti nga Ministria e Drejtësisë për ta hartuar një Protokoll Kombëtar për Veprat e Dhunës Seksuale. Ndërsa unë jam i kënaqur që i shoh këtu sot një numër të anëtarëve të këtij grupi pune.
Programi i shkurtër për aktivitetin e sotëm u jep mundësi përfaqësuesve të nivelit të lartë të institucioneve përkatëse, Policisë së Kosovës, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, që t’i japin komentet e tyre për rekomandimet konkrete të këtij raporti.
Pas sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve, Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, do ta bëjë një përmbledhje dhe përvijojë rrugën përpara nga perspektiva e Ministrisë së saj, Ministrisë së Drejtësisë.
Shpresoj se mund të kemi një diskutim të mirë sot dhe gjithashtu ju ftoj juve dhe të pranishmit që të bëni pyetje dhe shpresoj se ne mund t’i japim disa përgjigje.
Faleminderit për vëmendjen dhe praninë tuaj.