Lajme

EULEX-i e prezantoi Raportin Monitorues të tij “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”

06 korrik 2022

Më 6 korrik, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e prezantoi raportin monitorues të tij “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”

Ky raport ofron një vlerësim preliminar për mënyrën se si i trajton sistemi i drejtësisë në Kosovë rastet e dhunimit. Ai përfshin gjetje nga rastet e dhunimit të monitoruara nga EULEX-i dhe rekomandime konkrete për autoritetet e Kosovës për ta përmirësuar trajtimin e këtyre rasteve. Raporti është pjesë e angazhimeve të Misionit për t’i mbështetur institucionet e Kosovës përmes monitorimit nga ana e tij të zinxhirit të drejtësisë penale në trajtimin e dhunës ndaj grave në përgjithësi, dhe dhunimit në veçanti, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën e Stambollit.

Gjatë këtij prezantimi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, si dhe përfaqësues nga institucionet e sundimit të ligjit diskutuan për rëndësinë e pasjes së procedurave të standardizuara dhe miratimit të një qasjeje me viktimën në qendër për të siguruar që viktimat të kenë qasje në drejtësi.

Në fjalën hyrëse të saj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e përgëzoi EULEX-in për këtë hulumtim në temën e dhunës seksuale në Kosovë, duke e shprehur shqetësimin e saj lidhur me rritjen e numrit të rasteve të dhunimit të raportuara ndërmjet viteve 2019 dhe 2021.  

“Prandaj, sot dua t’iu bëj thirrje të gjitha institucioneve tona për të trajtuar rastet e dhunimeve, qoftë ato gjatë luftës, qoftë ato që ndodhin në baza ditore, pra të gjitha rastet e dhunimeve ne veçanti dhunën mbi baza gjinore, pra ti trajtojnë me prioritet dhe të sigurohen se ato, pra institucionet tona të kenë një qasje me viktimën në qendër”, tha Osmani.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, bëri të ditur se: “Ky raport i kushtohet viktimave të dhunës seksuale, veçanërisht të përdhunimit, ndërsa kërkimi i drejtësisë nga to, jo vetëm në Kosovë por kudo tjetër, shpeshherë mbetet ende pa përgjigje, i vonuar në mënyrë të paarsyeshme apo edhe i mohuar”. 

Wigemark theksoi se nevojitet një qasje e bazuar në viktimën dhe shtoi: “Shumë shpesh viktimave të dhunimit nuk u jepet prioritet i mjaftueshëm nga sistemi i drejtësisë dhe duhet të durojnë një proces ligjor të gjatë dhe të ndërlikuar. Shumë shpesh rastet e tyre pushohen për mungesë provash thelbësore ose për arsye procedurale.”

Ndërsa e analizon legjislacionin e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare, raporti përqendrohet edhe në kohëzgjatjen e procedurave, hetimin efektiv dhe përfundimin e rasteve, si dhe çështjen e ndëshkimeve dhe dënimeve adekuate. Ai tregon se viktimave iu ofrua korrigjim juridik efektiv në shumë pak raste. Miratimi i një protokolli uniform për raportimin e rasteve të dhunës seksuale do të sigurojë që viktimat të kenë qasje në zinxhirin e plotë të ndihmës së nevojshme.

“Një prej prioriteteve të Policisë së Kosovës është mbrojtja dhe ofrimi i sigurisë për viktimat”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i cili konfirmoi gjithashtu përkushtimin e Policisë së Kosovës për të ndërmarrë masa për përmirësimin e procesit të raportimit dhe mbledhjes së provave përmes trajnimeve të specializuara dhe fillimit të përdorimit të pajisjeve elektronike për regjistrimin e deklaratave.  

Flutra Goga-Bajrami, Zëvendësuese e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore pranoi se viktimat e dhunës seksuale meritojnë më shumë dhe shërbime akoma më të mira në nivel nacional. “Pavarësisht përkushtimit për përmirësimin e shërbimeve tona, sepse e kuptojmë në thelb dëmin që i shkaktohet viktimave të këtij krimi, duket sikur kjo nuk mjafton”, tha Goga-Bajrami.

Zëvendës-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, tha: “Jemi të vetëdijshëm për ndjeshmërinë dhe rëndësinë që ka trajtimi efikas, i saktë dhe me kohë i këtyre rasteve. Kryesit e këtyre veprave penale duhet të marrin dënim të drejtë dhe meritor në mënyrë që sado pak t’u rikthehet dinjiteti viktimave dhe të sigurohen qytetarët se autorët e këtyre veprave nuk do të mbesin pa ndëshkim”.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, e theksoi rëndësinë e procedurave standarde: “Mungesa e protokolleve, siç është evidentuar nga ky raport, pastaj praktikat jo të përshtatshme gjatë mbledhjes dhe administrimit të provave do e bëjnë më të vështirë për gjyqësorin, si hallkën e fundit në këtë zinxhir, për ti gjykuar dhe shqiptuar dënime proporcionale me karakterin dhe natyrën e këtij grupi të veprave penale”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e mbylli prezantimin duke e përshkruar rrugën përpara dhe duke bërë thirrje për një reagim institucional më të fortë dhe të përbashkët: “Dhuna seksuale vazhdon të jetë një çështje madhore në Kosovë. Qëllimi ynë i përbashkët është që të ofrojmë një përgjigje institucionale më të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse për t’i mbrojtur të gjitha viktimat dhe të drejtat e tyre”.

EULEX-i është i gatshëm të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë homologët përkatës në Kosovë për ta përmirësuar trajtimin e rasteve të dhunimit përmes një qasjeje me viktimën në qendër, ku qasja në drejtësi për gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, të ekspozuar ndaj dhunës seksuale dhe dhunimit, të bëhet prioritet i përbashkët i të gjithë aktorëve në zinxhirin e drejtësisë.

Misioni e ka mbështetur zbatimin e Konventës së Stambollit përmes një numri të madh aktivitetesh, duke filluar nga kryerja e fushatave ndërgjegjësuese mbi të ashtuquajturën “gaslighting” (keqtrajtimi psikologjik) dhe lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje, deri te kontributi në hartimin e dokumenteve të ndryshme programore, si p.sh. Strategjia e re Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, dhe udhëzuesit për krijimin e sistemeve të referimit për trajtimin e krimeve seksuale. 

Gjetjet dhe rekomandimet kryesore  

Gjatë prezantimit të raportit, Këshilltarja Gjinore e EULEX-it, Chiara Tagliani, e paraqiti një përmbledhje të gjetjeve dhe rekomandimeve të këtij raporti:

Kriminalizimi

Është bërë përparim i dukshëm në harmonizimin e kriminalizimit të veprës penale të dhunimit në Kosovë me standardet ndërkombëtare, veçanërisht duke e njohur mungesën e pëlqimit të viktimës si element përbërës të veprës penale - në përputhje me kriteret e parapara në Konventën e Stambollit dhe Konventën e OKB-së për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave - dhe duke parashikuar dënime më të larta për të gjitha dhunimet e kryera në marrëdhëniet familjare, midis bashkëshortëve aktualë apo ish-bashkëshortëve. 

Kohëzgjatja e procedurave

  • Raporti tregon dallime të konsiderueshme rajonale në numrin mesatare të rasteve të pazgjidhura dhe kohën e tej zgjatur të hetimeve dhe procedurave gjyqësore, duke përfshirë rastet kur aktgjykimet janë nxjerrë pas një afati kohor të gjatë jo-proporcional (p.sh. numri i hetimeve në pritje është 79% në Prizren, ndërsa ai arrin në 21% në rajonin e Prishtinës).
  • Institucionet përkatëse i kanë arsyetuar vonesat e vërejtura duke u bazuar në numrin e pamjaftueshëm të prokurorëve, mungesën e psikologëve të specializuar të nevojshëm për intervistimin e viktimave të mitura, kohën e nevojshme për mbledhjen e provave dhe vonesat në ekzaminimin e provave, si dhe mungesën e protokolleve të unifikuara.


Përfundimi i rasteve

  • Numri i hetimeve të mbyllura nga prokuroritë pa u ngritur ndonjë aktakuzë tregon dallime të dukshme rajonale. Konkretisht, në Ferizaj 20% e rasteve janë mbyllur pa aktakuzë, në Prishtinë kjo shkallë ka qenë 16%, në Gjilan 10% respektivisht 5% në Prizren.
  • Arsyet kryesore të ndërprerjes kanë qenë tërheqja e deklaratës së viktimës, vlerësimi i deklaratës si jo të besueshme dhe mungesa e lëndimeve fizike apo provave biologjike. 


Ndëshkimi

  • Dënimet e buta në rastet e dhunimit u bëjnë me dije kryerësve se ata mund të shpëtojnë pothuajse pa asnjë pasojë, ndërkohë që kjo ndikon rëndë në gatishmërinë e viktimës për t'u paraqitur.
  • Nga 36 aktgjykime të analizuara, 16 sish ishin shfajësues. Nga 20 aktgjykimet fajësuese, më shumë se gjysma ishin nën kohëzgjatjen minimale të dënimit. Arsyet kryesore të shfajësimeve janë mungesa e provës së dhunës fizike, tërheqja ose ndryshimi i deklaratës së viktimës gjatë fazave të ndryshme të procedurës dhe vlerësimi i gjykatës për pëlqimin e nënkuptuar të viktimës bazuar në sjelljen ose/dhe veprimet e tij/saj.
  • Misioni vërejti se gjykatat mbështeteshin më shumë në rrethanat lehtësuese dhe vetëm në mënyrë të kufizuar në ato rënduese.
  • Pothuajse të gjitha aktgjykimet u mbështetën në deklaratat e viktimës si prova kryesore, me përdorim shumë të kufizuar të llojeve të tjera të provave vërtetuese, siç janë gjetjet nga vëzhgimi elektronik dhe raportet nga vendi i ngjarjes.
  • Shkalla e ekzaminimeve mjekësore të kryera dhe të përdora në gjykime është rritur. 


Rekomandimet e përzgjedhura

  • Të krijohen udhëzime kombëtare që do ta unifikojnë dhe përmirësojnë trajtimin e rasteve të dhunimeve nga institucionet e ndryshme, ku do të përcaktohen detyrimet, përgjegjësitë dhe procedurat e qarta
  • Të krijohet një sistem i integruar për mbledhjen e të dhënave në lidhje me rastet e dhunimeve që do të ndihmonte në analizimin më të mirë të tendencave dhe modeleve, si dhe do të ndihmonte në procedurën përkatëse të politikë-bërjes.
  • Të gjitha institucionet përkatëse duhet të funksionojnë në bazë të qasjes me viktimën në qendër. Këtu përfshihet sigurimi i të gjitha formave të provave vërtetuese që nuk e kanë viktimën në qendër dhe ndarjen e burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare.
  • Gjykatat duhet të sigurojnë gjykim të shpejtë dhe me kohë të këtyre rasteve me aktgjykim të duhur, si dhe ndëshkim e dënim efektiv.
Raportin e plotë ku përfshihen të gjitha rekomandimet mund ta gjeni online këtu.

Prezantimi i plotë është në dispozicion  

Një video incizim me thekset kryesore është në dispozicion këtu:



Fjalimi i Shefit të Misionit EULEX ashtu siç është lexuar gjatë prezantimit të raportit është në dispozicion këtu.