Lajme

Udhëheqëse e një prej sektorëve më sfidues të Policisë së Kosovës – Njoftohuni me Vjollca Hotin, Komandante e Stacionit Jugu të Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale e Prishtinës

29 korrik 2022

Kredit për fotografi: Policia e Kosovës

Të jesh në pozitën e komandantit të Stacionit Jugu të Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale e Kosovës, është sfidë unike, dhe Vjollca Hoti, e cila këtë pozitë e mbanë për tri vite tani, ia del me atë sfidë.  

Stacioni Jugu i Policisë së Kosovës mbulon një pjesë të rëndësishme të Prishtinës, dhe aty trajtohen kërkesa të shumta të qytetarëve në lidhje me sigurinë, dhe, meqë roli i saj është operacional ajo është në detyrë 24/7, çka e pamundëson parashikimin e kthimit në shtëpi të Komandantes Vjollca.  
 
“Stacioni ynë policor ka specifika dhe nevoja unike. Numri i kërkesave që na vijnë është shumë i madh nga fakti se ne mbulojmë një pjesë të rëndësishme të Prishtinës, ku përfshihet edhe zona e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, andaj aktivitetet policore në teren për parandalimin dhe luftimin e krimit gjatë tërë ditës dhe natës janë të shumta për nga numri,” thotë Komandante Hoti.  
 
Rastet për të cilat ajo duhet të jetë në vendin e ngjarjes dhe rastet të cilat ajo i udhëheqë janë raste të rënda, si ato ku jeta e njeriut është në rrezik, apo rastet që përfshijnë eksplozivë, e të tjerë. “Kur shkalla e rrezikut është më e lartë se zakonisht, unë jam aty,” shpjegon ajo.
 
Në shumë raste, me qëllim të ndriçimit të së vërtetës, bashkëpunimi me qytetarë dhe besimi i tyre në Policinë e Kosovës është esencial: “Unë e vërej drejtpërdrejtë dhe e ndjej besimin e qytetarëve tanë në praktikë. Ky besim është arritur përmes bashkëpunimit dhe profesionalizmit që Policia e Kosovës ka dëshmuar në zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e një mjedisi të sigurt. Vetëdijësimi i qytetarëve rreth sigurisë dhe parrezikshmërisë në përgjithësi është po ashtu i lartë. Siguria është jetike për jetën e të gjithëve.”  
 
Nuk janë të shumta ato gra që punojnë në udhëheqjen e sektorit operacional të Policisë së Kosovës. Në fakt, për momentin Vjollca Hoti është komandantja e vetme grua që udhëheqë një stacion policor kaq të madh në sektorin operacional të kësaj force. Një grua tjetër në pozitën e komandantes në një fushë të ndryshme të policisë punon në Njësinë rajonale të trafikut në Gjilan.   
 
Sipas Komandantes Hoti, një prej arsyeve kryesore pse gratë hezitojnë të ndjekin këtë lloj të karrierës është orari i gjatë dhe natyra e punës: “Shkalla e rrezikut është po ashtu një prej arsyeve kryesore që i pengon gratë të bëjnë karrierë në forcën  policore. Megjithatë, unë prap mendoj se në të ardhmen më shumë gra do të marrin përsipër role të mëdha sikur ky i imi. Unë i inkurajoj gratë që të aplikojnë dhe të synojnë për këtë lloj të karrierës, ngase është shumë shpërblyese. Rezultatet e punës suaj të madhe shihen çdo ditë.”  
 
Fytyra e saj ndritë kur vazhdon bisedën për mundësitë dhe rastet për mbrojtjen e njerëzve, zbatimin e ligjit dhe arritjen e drejtësisë për njerëzit në secilën ditë: “T’u ndihmosh njerëzve të zgjidhin problemet e tyre, dhe mbi të gjitha t’u ofrosh atyre siguri ka po aq rëndësi sa edhe shëndeti. Dhe në botën në të cilën jetojmë ditëve të sotme, shëndeti dhe siguria shkojnë paralel, dhe unë i konsideroj ato jetike për një jetë normale dhe cilësore. Kjo është arsyeja pse unë besoj se çdo grua që dëshiron të jetë zyrtare policore dhe që është e gatshme të punojë 24/7 mund të ketë këtë lloj pozite udhëheqëse dhe sfiduese.”  
 
Forca policore është profesion karriere. Ekzistojnë grada të shuma nëpër të cilat është mundësia e avancimit, nga kadeti deri në gradën kolonel. Por gradat nuk janë opsioni i vetëm për zhvillimin e karrierës. Forca policore po ashtu ofron pozita të shumta të tjera nëpër njësitë operacionale, hetimore dhe administrative. “Krahas mundësive për zhvillim në forcën policore, më duhet të përmend se Policia e Kosovës ka prodhuar figura prominente të sektorit të zbatimit të ligjit në Kosovë, siç është presidentja e parë grua e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga”, thekson me krenari Komandante Hoti.  
 
Aktualisht në ekipin e saj bëjnë pjesë 54 gra, që përbëjnë 27% të forcës policore në Stacionin Jugu të Prishtinës. Sipas saj, synimi është që të arrihet një përfaqësim i barabartë i burrave dhe grave në ekip, duke theksuar që gratë të cilat tashmë janë pjesë e ekipit kanë bërë punë të jashtëzakonshme për Policinë e Kosovës. “Në ekipin tonë ka gra që kanë punuar në këtë stacion për më gjatë se 20 vite. Për shembull, kolegeja ime Rreshtere Nekibe Bajraktari që është pjesë e Policisë së Kosovës për më gjatë se 20 vite dhe është një prej atyre që kanë ndihmuar në themelimin dhe zhvillimin e stacionit tonë. Ajo është shembull për të gjithë ne.” Një e arritur e rëndësishme për gratë e Policisë së Kosovës është themelimi i Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës, ku Komandante Vjollca është nënkryetare, qëllimi i së cilës është fuqizimi i rolit të grave në Policinë e Kosovës. Kjo synohet të arrihet përmes trajnimeve dhe mundësive për zhvillimin e karrierës, mbështetjes profesionale dhe avokimit të mbështetjes gratë për gratë.
 
Vjollca është nënë e tre fëmijëve, më i vogli vetëm pesëvjeçar. Detyra e punës së saj shpesh paraqet sfidë kur ajo nuk mundet të jetë në shtëpi për shumë orë, dhe, për të shtuar sfidën, edhe bashkëshorti i saj punon në Policinë e Kosovës. “Fatmirësisht, nëna ime gjithnjë ka qenë shpëtimtarja ime dhe mekanizmi mbështetës më i madh në përkujdesjen për fëmijët e mi gjatë kohëve më të vështira.”  
 
Kur flet për sigurinë e saj gjatë kohës sa është në teren dhe e angazhuar me krime të rënda, Vjollca ka ndjenja të përziera: “Në njërën anë, nëse e humbi jetën në krye të detyrës fëmijët e mi do të vuajnë - nëna është e pazëvendësueshme. Në anën tjetër, ajo është diçka heroike dhe pjesë e punës sime,  dhe unë kam qenë në dijeni për rreziqet kur i jam bashkuar policisë para 22 viteve. Në fund, është dashuria dhe pasioni për punën time që më kanë ndihmuar të tejkaloj frikën dhe mëdyshjet.”
 
Nga pikëpamja profesionale, Vjollca e gjen përmbushjen e saj më të madhe tek suksesi i arritur nga ekipi i saj: “Me lehtësi mund të them se sot unë shkëlqej në saje të ekipit tim. Momentalisht, ekipi im përbëhet prej 203 personave dhe kur i shoh tek kryejnë detyrat e tyre me dashuri, kur shoh tek ta përkushtimin për të ofruar mjedis të sigurt për komunitetin tonë, ata janë motivimi im më i madh. Po kaq shumë ne motivohemi edhe nga qytetarët tanë, ngase ata bashkëpunojnë me ne dhe na ndihmojnë të parandalojmë dhe zgjidhim krime që në përgjithësi jeta e tyre të jetë më e sigurt.”  
 
Të kesh ekip të përbërë prej kolegëve që e duan punën e tyre nuk është e rastësishme. Menaxheri i mirë është kontribuuesi kryesor i një mjedisi të shëndoshë të punës. Në këtë kuptim, Vjollca thotë se stili i saj i menaxhimit është të jesh pjesë e ekipit: “Unë bisedoj me secilin anëtar të ekipit dhe jam e gatshme të pranoj çdo këshillë dhe rekomandim që ata mund të kenë e që do të ishte në të mirë të situatës së sigurisë. Çdo ditë unë filloj me mendim pozitiv dhe besim se ekipi im është duke bërë një punë madhështore, andaj edhe del të jetë ashtu. Unë jam person optimist që përqendrohet tek cilësitë e të tjerëve, e di si t’i vlerësoj dhe pranoj rezultatet e mira që ekipi im prodhon duke i trajtuar të gjithë barabartë.”  
 
Tensioni dhe stresi janë pjesë normale e detyrës së saj. Si e parandalon Vjollca stresin nga reflektimi tek pjesëtarët e ekipit të saj? ​
“Unë kam një metodë të veçantë: Gjithnjë përmbahem nga britmat. Atë energji e shfrytëzoj për t’u përqendruar në zgjidhjen e problemit dhe të siguruarit se palët e përfshira ta kenë të qartë se çfarë është duke ndodhur dhe se si ne jemi aty për t’i mbrojtur dhe shërbyer njerëzve gjithnjë në pajtim me ligjet përkatëse që janë në fuqi.”  
 
Një fakt shumë interesant për Komandante Vjollca Hoti, është se ajo është pjesëtarja e vetme e Policisë së Kosovës që ka pranuar çmimin ndërkombëtar për trimëri – medalje e trimërisë, që i është ndarë gjatë konferencës së 53-të të Shoqatës ndërkombëtare të grave në polici në vitin 2015. Ky çmim erdhi pasi Vjollca dhe kolegët e saj me trimëri dhe sukses reaguan për shpëtimin e jetëve gjatë një grindjeje të armatosur mes disa civilëve. Përgjatë viteve të punës, ajo po ashtu përmend se Policia e Kosovës ka gëzuar bashkëpunim profesional të mrekullueshëm me EULEX-in përmes trajnimeve dhe vizitave studimore të ndryshme ku janë ndarë praktikat më të mira evropiane.  
 
Kur ajo nuk është e angazhuar me aksionet policore, Vjollca bënë ecje nëpër male dhe lexon libra për të menduarit pozitiv, çka, siç thotë ajo, e kanë ndihmuar atë shumë për ta parë jetën ndryshe dhe për t’u përqendruar në gjërat pozitive që jeta ka për të ofruar.  
 
Kur hedh një shikim në njëzetvjetshin e saj, si grua e fuqishme në sektorin e sigurisë, Vjollca do të thoshte që asnjëherë të mos hiqte dorë dhe të kishte besim tek vetja, pavarësisht rrethanave. Si avokuese e fortë për fuqizimin e grave, ajo besoj se për gratë është e rëndësishme t’ia rregullojnë kurorat njëra-tjetrës dhe të mbështesin njëra-tjetrën në çdo hap të rrugës.