Lajme

Shoqata e të Verbërve të Kosovës i ndau një pllakë EULEX-it për kontributin e tij në krijimin e mundësive të barabarta për personat e verbër

15 tetor 2022

Kredit për fotografi: Shoqata e të Verbërve të Kosovës

Më 15 tetor, Shoqata e të Verbërve të Kosovës organizoi një konferencë për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, ku Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Kryeministri, Habit Hajredini, Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, Kryesuesi i Forumit të Kosovës për Personat me Aftësi të Kufizuara, Bujar Kadriu, Zëvendës-Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl, dhe Shefja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënëse e EULEX-it, Ioanna Lachana, diskutuan për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballen personat e verbër në Kosovë.

Gjatë konferencës, Shoqata e të Verbërve të Kosovës i ndau EULEX-it një pllakë për kontributin e tij në krijimin e mundësive të barabarta për personat e verbër.

Përfaqësuesja e EULEX-it e falënderoi Kryetarin e Shoqatës për çmimin dhe u zotua se do t'i publikojë gjetjet dhe rekomandimet e ardhshme të raporteve të monitorimit të drejtësisë të EULEX-it në alfabetin Braille.

---

Lexoni fjalimin e saj të plotë këtu (siç është dhënë):

E nderuara Nënkryetare e Kuvendit,

I nderuar Kryeministër,

I nderuar Kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës

Të nderuar Ambasadorë,

Të nderuar përfaqësues të qeverisë, organizatave të personave me aftësi të kufizuara, organizatave ndërkombëtare dhe organizatave të shoqërisë civile,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë dhe jam krenare që jam sot këtu, duke e përfaqësuar EULEX-in, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Siç mund ta dini tashmë, Shefi ynë i Misionit, Lars-Gunnar Wigemark, aktualisht gjendet në Bruksel për disa takime, andaj përkundër dëshirës së madhe nuk ka mundur të jetë sot këtu në këtë konferencë.

Ky bashkëbisedim me juve është thelbi i asaj për çfarë mundohemi ta bëjmë – të diskutojmë arritjet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen personat e verbër në mjedis të hapur, siç e ka bërë tashmë Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës.

Ky bashkëbisedim na bën të gjithë neve më të sensibilizuar për realitetin me të cilin përballen personat me aftësi të kufizuara, por gjithashtu na ndihmon neve që ta kuptojmë kontributin të cilin e japin personat me aftësi të kufizuara për mirëqenien dhe diversitetin e komuniteteve tona dhe të shoqërisë sonë.

Vështirësitë me të cilat ballafaqohen personat e verbër janë tejet të mëdha dhe më të ndërlikuara, çka na detyron neve – si individë, si institucione dhe si pjesë e shoqërisë – që ta bëjmë pjesën tonë të detyrave për të siguruar që secili të mund të jetë pjesëtar i barabartë i shoqërisë sonë.

S’do mend të thuhet se nuk ka nevojë të lexohen raporte të shumta për ta kuptuar diskriminimin që e hasin personat me aftësi të kufizuara për çdo ditë, i cili shkaktohet nga mungesa e qasjes në infrastrukturën fizike, në arsim, kujdesin mjekësor, apo në mundësitë e punësimit. Një ecje e thjeshtë përreth do të mjaftonte për ta parë situatën në teren. Në një mjedis të tillë, ia vlen ta pyesim veten se çfarë kemi bërë ne që gjërat të jenë më ndryshe apo më mirë.

Si mision i sundimit të ligjit, ne jemi duke bërë përpjekje për mundësimin e qasjes në drejtësi për secilin, përfshirë për personat me aftësi të kufizuara. Pengesat e shumta fizike dhe arkitektonike janë vetëm disa prej dimensioneve që duhet të adresohen. Por, njohja e rëndësisë që ka autonomia dhe pavarësia individuale e personave me aftësi të kufizuara është po aq e rëndësishme sa të sigurohet qasja në informata të dhëna në formate të qasshme. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për personat me pengesa në shikim.

Gjatë një takimi të fundit me Kryetarin e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Shefi ynë i Misionit u zotua që së shpejti do të fillojmë publikimin e gjetjeve dhe rekomandimeve nga monitorimi i EULEX-it në sistemin e drejtësisë në alfabetin Braille.

Ky është një hap i vogël në drejtim të duhur, krahas dhurimit të një automjeti Shoqatës së të Verbërve të  Kosovës me qëllim të lehtësimit të punës së tyre të përditshme.

Kohëve të fundit, ne po ashtu dhuruam pajisje të teknologjisë informative dhe orendi për Komisionin Paralimpik të Kosovës, dhe në partneritet me organizatat e tjera ndërkombëtare, ne i kemi mbështetur Lojërat Parasportive të Kosovës të vitit 2022.

Sigurisht që kjo nuk është e mjaftueshme; krijimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse është përgjegjësi e të gjithë neve. Kjo është arsyeja pse ne do të vazhdojmë me promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, siç parashihet në Planin e Veprimit të BE-së për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë 2020-2024.

Faleminderit për përkushtimin tuaj!