26 tetor 2022
Më 25 tetor, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, iu bashkua Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, për t’i mbështetur nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “DITURIA” në fshatin Samadrexhë, në Suharekë.
Në prani të Kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj dhe përfaqësuesve të sektorit të arsimit, Wigemark i dorëzoi Drejtorit të shkollës, Xhafer Zeqaj, një donacion me mobilie dhe pajisje të TI-së për t’u ndihmuar nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës. Në muajin gusht, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kontribuar në renovimin e 21 dhomave, duke përfshirë 18 klasa të kësaj shkolle.
Wigemark vuri në dukje rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së përbashkët të institucioneve arsimore. “Arsimi është gjithçka”, tha Wigemark, duke shtuar se ka shumë shkolla në Kosovë që kanë nevojë për mbështetje. “Jam shumë i lumtur që mundëm të bashkëpunojmë me Ambasadën Gjermane, meqë, së bashku mund t’i ndihmojmë më mirë nxënësit dhe mësimdhënësit”, shtoi Wigemark.
Drejtori i shkollës shprehu mirënjohjen e tij më të thellë për Ambasadën Gjermane për renovimin e paradokohshëm të objekteve shkollore dhe EULEX-it për donacionin, duke theksuar se si kjo mbështetje do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më komod për të gjithë.
Rohde kujtoi se sa e rëndësishme është që fëmijëve t’u ofrohen kushte të duhura për të mësuar.
“Nxënësit janë e ardhmja juaj”, tha ai, duke shtuar: “Fakti që jemi këtu së bashku me EULEX-in për të dhënë një kontribut të vogël për shkollën, është tregues se sa e rëndësishme është për ne që ta mbështesim sektorin e arsimit”.
Ceremonia përfundoi me dorëzimin e disa dhuratave simbolike nga shkolla dhe nxënësit e saj për të falënderuar kontributin e EULEX-it dhe Ambasadës Gjermane dhe u përcoll me dy pika të këndshme vallëzimi nga nxënësit.
Në të njëjtën ditë, Wigemark u takua edhe me Nënkryetarin e Komunës së Rahovecit, Fatmir Iska, ku ia dorëzoi një automjet Drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Berat Duraku.