07 nëntor 2022
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka marrë përsipër përgjegjësi policore në Kosovën veriore.
Këshilltarët policorë të lartë të EULEX-it për veriun janë të vendosur në kompleksin e Drejtorisë së Policisë së Kosovës Rajoni Veri dhe janë duke dhënë këshilla për Drejtorinë e Policisë së Kosovës Rajoni Veri dhe katër stacionet policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore. Përveç kësaj, Këshilltarja e EULEX-it për Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Këshilltarja e EULEX-it për Kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës janë duke e monitoruar nga afër situatën në këto dy institucione të drejtësisë.
Gjithashtu, Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it (NjPS), e përbërë prej 105 zyrtarëve policorë polakë, ka shtuar më tej patrullimet mobile të vëzhgimit në Kosovën veriore për informim të shtuar të saj rreth situatës. NjPS, e cila është e stacionuar në Mitrovicë, është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës, si pjesë e një mekanizmi treshtresor të reaguesve të sigurisë ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX është reaguesi i dytë i sigurisë, dhe NATO/KFOR reaguesi i tretë i sigurisë. Si reagues i dytë i sigurisë i Kosovës, EULEX-i mbanë koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, përkatësisht reaguesit e parë dhe të tretë të sigurisë së Kosovës. Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, NjPS e EULEX-it do të angazhohet vetëm me kërkesë eksplicite të Policisë së Kosovës.
EULEX-i qëndron vigjilent dhe po monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të kenë ndikim mbi sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe ne do të bëjmë atë që është e nevojshme, dhe çdo gjë që duhet, për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në suaza të mandatit tonë, si dhe për të kontribuar për sigurinë e popullatës së saj. Nëse paraqitet nevoja, Misioni mund të zbarkojë po ashtu një Njësi Rezervë të Policisë së Specializuar për të shtuar forcat e tij në teren dhe kapacitetin operacional.