Lajme

Intervista e Shefit të EULEX-it për TV Klan Kosova

09 nëntor 2022

Më 9 nëntor, TV Klan Kosova në edicionin e tij të lajmeve kryesore e transmetoi një intervistë ekskluzive me Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark.

Shefi i EULEX-it i komentoi zhvillimet e fundit të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, duke e ri-konfirmuar përkushtimin e Misionit si reagues i dytë i sigurisë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Wigemark e shpjegoi zbarkimin e përkohshëm në Kosovë të 23 xhandarëve nga Karabinierët italianë të Forcave të Xhandarmërisë Evropiane: “Ky nuk është një zbarkim i madh për momentin - 23 Karabinierë italianë. Ne presim edhe disa xhandarë shtesë nga të paktën dy anëtarë të tjerë të ashtuquajturës Forca e Xhandarmërisë Evropiane”, tha Wigemark, duke shpjeguar se janë shtatë shtete anëtare që kontribuojnë në të.

Lidhur me angazhimin e EULEX-it, Wigemark siguroi: “Ne nuk do të veprojmë pa ndonjë kërkesë nga Policia e Kosovës në veçanti, dhe nga Ministria e Brendshme në nivel politik. Të shtunën kam pasur një takim me COMKFOR-in, Ministrin e Brendshëm Sveçla dhe Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, ka thënë Wigemark, duke konfirmuar se të dielën më 6 nëntor EULEX-i ka pranuar një kërkesë me shkrim nga Policia e Kosovës për të vazhduar angazhimin në monitorimin e patrullimeve vëzhguese në pjesën veriore të Kosovës.

Duke e komentuar situatën e sigurisë në përgjithësi, Wigemark tha: “Me sa mund të themi, për momentin situata është e qetë dhe dua t'i përgëzoj të gjithë, duke filluar nga Policia e Kosovës, duke i përfshirë edhe policët që dhanë dorëheqje, pasi kjo u bë në mënyrë të qetë”.

Shikoni intervistën: https://www.youtube.com/watch?v=YP-yNtbml48&t=42s