Lajme

Dega e Odës së Avokatëve të Norvegjisë në Oslo e vizitoi EULEX-in

09 nëntor 2022

Më 9 nëntor, nëntë avokatë nga dega e Odës së Avokatëve të Norvegjisë në Oslo e vizituan EULEX-in dhe u informuan nga disa ekspertë të misionit tonë.

Vizitorëve u shprehu mirëseardhje Ioanna Lachana, Shefe e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënëse e EULEX-it, e cila u paraqiti një pasqyrë të përgjithshme për mandatin e Misionit tonë, si ka evoluar ai përgjatë viteve dhe sfidat me të cilat është përballur Misioni gjatë zbatimit të mandatit të tij.

Heidi Heggdal, Monitoruese e  EULEX-it për Drejtësi nga Norvegjia, i shpjegoi Odës së Avokatëve të Oslos se si e përcjellin Monitoruesit e Drejtësisë të Misionit statusin e rasteve specifike dhe përgatisin raporte me gjetje dhe rekomandime për institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë. Heggdal shpjegoi se një karakteristikë unike e mandatit të EULEX-it është qasja në dosjet e rasteve, si pjesë e monitorimit të fuqishëm tematik dhe sistematik nga ana e Misionit.

Dita vazhdoi me Grzegorz Lewocki, Monitorues Kryesor Tematik i EULEX-it për Administrimin dhe Menaxhimin e Rasteve, i cili i informoi vizitorët për mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor në Kosovë. Një rastësi e këndshme qe fakti se ishte mu Qeveria e Norvegjisë ajo që e ka ndihmuar financiarisht ndërtimin e Sistemit Informativ për Menaxhimit të Lëndëve, i cili funksionon në të gjitha gjykatat e Kosovës që nga viti 2018.

Murlan Prizreni, Këshilltar Ligjor i EULEX-it, ndau përvojën e tij personale nga koha kur kishte ikur prej luftës në Kosovë dhe kishte kaluar një kohë si refugjat në Norvegji. Ai shprehu mirënjohjen e tij për pritjen e ngrohtë që i ishte bërë në Norvegji në ato kohë të vështira. Si këshilltar ligjor vendas, Prizreni punon në EULEX prej vitit 2008. Ai e përshkroi përvojën e tij në Mision si shumë të kënaqshme dhe sfiduese.

Grupi i avokatëve ishte shumë i interesuar të dinte për sfidat me të cilat është përballur Misioni në të kaluarën gjatë hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës, se si e lehtëson Misioni shkëmbimin e informatave ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Interpolit, dhe për shumë çështje të tjera që lidhen me mandatin e EULEX-it.