13 janar 2023
Më 13 janar, projekti “Fuqizimi i të rinjve – Avancimi i të drejtave të njeriut dhe mësimi mbi sundimin e ligjit nëpër shkolla”, i mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe i zbatuar nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e njeriut – Kosovë, nisën një trajnim treditor për dhjetë studentë të juridikut, të cilët pritet të ligjërojnë mbi temën e drejtësisë para nxënësve të shkollave fillore.
Meqë synimi i projektit është vetëdijësimi i fëmijëve mbi nocionin kompleks të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, projekti filloi me një trajnim mbi shpjegimin e koncepteve themelore në një mënyrë të thjeshtë dhe interaktive.
Monitoruesja e drejtësisë nga EULEX-i, Diana Mocilnik-Draghina, prezantoi para pjesëmarrësve mandatin e Misionit në monitorimin e tërë zinxhirit të drejtësisë së Kosovës, me fokus specifik mbi punën e Njësisë për Monitorimin e Rasteve, ndërsa Drejtoresha ekzekutive e Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut – zyra në Kosovë, Marigona Shabiu, prezantoi projektin dhe theksoi rëndësinë e përvetësimit të shkathtësive të duhura për prezantime dhe kuptimit të duhur të sistemit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut për transmetimin efektiv të këtyre njohurive tek të tjerët.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njoftuan me teknika të të folurit në publik dhe testuan metodologji të ndryshme të ligjërimit, në veçanti për nxënës të moshave të shkollës fillore.
Faza e ardhshme e projektit parasheh një trajnim të ngjashëm paralel për mësimdhënës të lëndës së edukatës qytetare, të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejt në mësimdhënie mbi temën e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut nëpër shkolla fillore.